Protesta për vrasjen e 14-vjeçarit, prindër e nxënës hedhin bojë të kuqe para Ministrisë së Arsimit: Duam siguri, drejtësi për Martinin!
Publikuar më 21.11.2024 nga shekulli_admin
Qindra qytetarë kanë mbushur sot rrugët e Tiranës në shenjë protestë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani duke kërkuar siguri.
Prindërit janë mbledhur fillimisht te shkollë “Fan Noli” dhe më pas kanë marshuar drejt sheshit “Skënderbej” me një pankartë gjigande në krye “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” dhe bënë apel për marrjen e masave.
“Nuk ka dhimbje më të madhe. Ai ishte si djali im se ishte shoku i djalit tim. Nuk di çfarë të them, jam shumë i prekur. Ai i ka fut thikën të gjithëve”, tha një prind.
“Apel shtetit shqiptar të mos flejë gjumë, mjaft më. Nuk durohet”, tha një prind tjetër.
Prindërit dhe nxënësit kanë hedhur bojë në asfaltin para Ministrisë së Arsimit te Rruga e Durrës në shenjë proteste pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
Me pankarta të shumta në duar, me mesazhe për institucionet, shoqërinë, por edhe për 14-vjeçarin e vrarë, qytetarët kanë kërkuar drejtësi dhe siguri.
“Ne nuk kërkojmë mëshirë, por të drejtën për një sistem arsimor që i mbështet dhe mbron fëmijët. Të bashkohemi dhe të luftojmë për drejtësinë që Martini dhe shumë të tjerë si ai meritojnë. Mjaft qëndruam në heshtje. Na u bëni krah ne të rinjve, bëhuni krahë klasës së Martinit”, tha një e re.
“Për çfarë është policia nëse nuk është për të na mbrojtur?! Nuk mjafton të vijmë të qajmë këtu. Engjëlli juaj, Martini që ju mungon duhet të frymëzojë gjithë shoqërinë shqiptare. Nuk mjafton të vijmë të qajmë. Duhet të ketë masa”, u shpreh një prind.
Teksa fajësojnë institucionet për vdekjen e Martin Canit, prindërit janë të ndarë për mbylljen e rrjeteve sociale, një propozim i hedhur dje në diskutim nga kryeministri Edi Rama. Ata kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe marrjen e masave urgjente nga qeveria.
“Jetojmë të pasigurt, jetojmë me frikë. Ministrja e Arsimit duhet të japë dorëheqjen urgjentisht deri te oficerja e sigurisë që nuk ka bërë gjë.
Bullizimi në rrjetet sociale është një gjë që i shqetëson shumë të rinjtë sot. Ne këtu duam të vëmë theksin te Ministria e Arsimit, është inekzistente. E keni parë si i është mbyllur goja elitës intelektuale.
Unë i kërkoj qeverisë, ministres së Arsimit të japë dorëheqjen. Ndihemi të pasigurt. Unë kam dy vajza, vajza ime shkon në një shkollë ku rreth e qark shitet drogë. Ne duam siguri publike. Sot shoqëria shqiptare po pëson një krizë të vlerave. Është rritur mosha e minorenëve që kryejnë krime”, tha një prind.
Një vajzë 10-vjeçare që iu bashkua protestës tha se ndihet e tmerruar kur del nga shkolla.
“Të rriten masat e sigurisë në shkolla. Të kontrollohen çantat. Rrjetet sociale i shkatërruan. Celularin në dorë. T’i mbyllin rrjetet sociale. Do ishte zgjedhje. Nuk kontrollohet ajo. Në Kinë ta kontrollosh TikTokun. Duhen mbyllur dhe bashkëpunim me prindërit. Djali do ishte gjallë po të ishin bërë bashkë drejtoresha e shkollës, mësuesit, prindërit. Këtu ka dhe një problem se bëjnë dhe të tjerët, mirë ia bëri ai thonë. Ka efekt zinxhir”, tha një tjetër prind.
Një nënë u shpreh se prindërit duhet t’i kontrollojnë fëmijët.
“Nuk jam për mbylljen e rrjeteve sociale, prindërit e bëjnë zgjidhjen. Ata duhet t’i kontrollojnë”, tha ajo.
“Çfarë të them, a ka më keq?! Unë jam gjysh, a ka më keq për një gjyq. Mendoj se faji është tek Arsimi. Ministrja e Arsimit duhet të kishte dhënë dorëheqjen vetë në mënyrë urgjente në shenjë respekti”, u shpreh një i moshuar.