Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka reaguar ndaj deklaratave të kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, duke e akuzuar për keqinterpretim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket mënyrës së votimit për konstituimin e Kuvendit.
Në një postim në Facebook, Gruda, i cili është jurist me profesion, shprehet se megjithëse Dehari më në fund ka pranuar se mocionet procedurale nuk lejohen në seancën konstituive, ai nuk ka pasur, siç e cilëson ai, “guximin ta lexojë aktgjykimin deri në fund”.
Gruda i referohet paragrafit 187 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet qartë se:
“Zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare”.
Sipas Grudës, këto praktika historike nënkuptojnë votim të hapur, siç ka ndodhur në të gjitha seancat konstituive të mëparshme.
“Prandaj, Avni Dehari nuk ka të drejtë të hedhë në votim propozimin për Komision për votim të fshehtë, sepse kjo shkel drejtpërdrejt këtë paragraf të aktgjykimit të Gjykatës”, ka shkruar Gruda.
Kuvendi i Kosovës po përballet me një ngërç të thellë institucional, ndërsa përpjekjet për konstituim kanë dështuar tashmë 42 herë. Debati për mënyrën e votimit po del të jetë një nga pikat më të nxehta të bllokadës aktuale politike./