Nënkryetarja e bashkisë së Tiranës debaton me këshilltarët socialistë për pastrimin dhe menaxhimin e qytetit: Më shkarkoni, të bie edhe unë rehat!
Publikuar më 12.05.2026 nga shekulli_admin
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, është përplasur ashpër me këshilltarët e mazhorancës gjatë mbledhjes së fundit me dyer të mbyllura të Këshillit Bashkiak, duke sfiduar hapur edhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
Në kulmin e debateve për problematikat e pastrimit të qytetit dhe kërkesat për më shumë llogaridhënie nga drejtuesit vendorë, Ristani ka shpërthyer me deklarata të forta ndaj këshilltarëve të saj politikë.
“Me shkarkoni, të bie dhe unë rehat”, mësohet të ketë deklaruar ajo gjatë diskutimeve, në një moment tensioni të lartë në sallë. Përplasjet më të forta kanë qenë me këshilltarin Halit Valteri nga PS dhe Krenar Canollarin nga PSD, të cilët kërkuan më shumë përgjegjësi për situatën e pastrimit dhe menaxhimin e qytetit.
Sipas burimeve nga mbledhja, debati degradoi në tone ironike, ku Ristani jo vetëm kundërshtoi akuzat, por nisi edhe të ironizonte dhe të qeshte gjatë diskutimeve, gjë që solli reagime të forta nga disa këshilltarë të pranishëm.
Mbledhja u karakterizua nga tensione të vazhdueshme dhe akuza reciproke, ndërsa çështja e pastrimit të Tiranës mbetet një nga temat më të diskutuara dhe më problematike për administratën vendore në javët e fundit.
Po sot u vendos që Bashkia e Tiranës do të shtojë pikat e shpërndarjes së aboneve falas për pensionistët.
Lajmin e dha kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak.
“Do të shtohen pikat e shpërndarjes së aboneve. Pikat e shërbimit janë të hapura thuajse 16 orë në ditë. Kemi shtuar jo vetëm numrin e ditëve kur aboneja shpërndahet, por edhe numrin e pikave. Shpresojmë që kjo do të ketë një efekt pozitiv sa i përket radhës dhe ngarkesës. Nuk bëhet dot me librezat e pensionit pasi bileta është e një tjetër lloj dokumentacioni”, deklaroi Ristani.
Ristani u shpreh se në vijim Bashkia e Tiranës do nisë punë për ndërtimin e një sistemi të ri për të adresuar këtë problematikë në mënyrë më digjitale.
“Bashkia e Tiranës po drafton termat e referencës për një sistem të ri, që do të adresojë këtë gjë në një mënyrë më koherente dhe më digjitale, dhe të shmangim radhët për kohën në vijim. Fatkeqësisht tani jemi të lidhur me një mënyrë të bërit të sistemit dhe po mundohemi ta optimizojmë me shtimin e pikave për shpërndarje”, theksoi Anuela Ristani.