Përplasje mes socialistëve në Kuvend/ Peleshi refuzoi t’i japë fjalën për replikë me Berishën, duke iu drejtuar se “Nuk jam o miko…”, Manja i përgjigjet me ironi: Të kërkoj ndjesë se të ula gradat!
Publikuar më 14.05.2026 nga shekulli_admin
Pas debateve të sotme në seancën plenare të Kuvendit mes Sali Berishës, Ulsi Manjës dhe më pas Ulsi Manjës dhe Niko Peleshit, ka ardhur edhe reagimi reflektues i deputetit socialist gjatë fjalës që mbajti për procedurë në sallë.

Ish-ministri Ulsi Manja iu drejtua kryeparlamentarit Niko Peleshi duke i kërkuar llogari pse nuk i dha fjalën më herët për replikë ndaj Berishës, duke e quajtur edhe ‘cinik me mikrofon’ dhe se i kërkonte falje që “i uli gradën’.
Përplasja erdhi pasi më herët Manja teksa i kërkonte fjalën për replikë ndaj Berishës, iu drejtua kryeparlamentarit me emër “miko”.
Manja kërkoi për disa minuta fjalën për të bërë një replikë, por Peleshi, nuk e lejoi derisa në foltore doli kreu i grupit të PS-së, Balla.
Debati:
Peleshi: Nuk mundet, jemi me minutazh të përcaktuar. Në 16:30 duhet të votojmë
Manja: O miko.
Peleshi: Unë nuk jam miko. E thamë që në fillim zoti Manja është me minutazh të përcaktuar, nuk ndërpritet për replikë.
Manja: Ma jep që tani.
Peleshi: Nuk ua jap që tani, nuk kalohet lista. Zoti Balla do ta merrni fjalën?
Kurse Manja në fjalën e tij u përgjigj me ironi.
“Zoti kryetar i Kuvendit, meqë qëparë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia për t’iu përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën të të kërkoja edhe ndjesën me mikrofon se të ula gradën që ke dhe preferove që në vend të ndjesës time publike me mikrofon të mbizotërojë cinizmi yt me mikrofon, dua të të kujtoj se fuqia e ndjesës pa mikrofon është më e fortë pa mikrofon sesa cinizmi i ndjesës i kujtdo që është këtu në këtë sallë. Unë e njoh rregulloren e Kuvendit zoti kryetar edhe për shkak të përvojës time si deputet dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve por kur ka çështje me minutazh të caktuar sigurisht që nuk lejohet replika, por ama e drejta për të ndryshuar radhën me kolegë të grupit tim parlamentar në mirëkuptim me kolegun dhe ju si kryetar i Kuvendit, ekziston sipas rregullores së Kuvendit”, tha Manja.
Më tej ai akuzoi Peleshin se i dha më shumë hapësirë kreut të PD-së, Sali Berisha, duke mos respektuar rregulloren e Kuvendit, duke e cilësuar kreun e selisë blu një “dinosaur politik”.
“Por ju s’e patët këtë mirëkuptim dhe ke mirëkuptimin tim të plotë sepse nuk është kollaj të përballesh me një politikan si Sali Berisha, një dinosaur politik si Sali Berisha, që ka 40 vjet në politik që mbijeton në politikë me mjetet që di të përdorë më mirë, intrigën, presionin, baltën, shpifjen, shantazhin, shto dhe tani në fund gradën shkencore non grata. Dhe të përballesh me këtë, nuk vjen më mirë në ndihmë përveçse rregullorja jote sesa ajo e Kuvendit”, tha ai.
Manja pati edhe një replikë e përgjigje për Berishën, duke i thënë se nëse nuk i bëri “fajde” as non grata që i është vendosur, nuk i bëjnë gjë as dosjet e shumta ndaj tij.
“Tani kam një fjalë për Sali Berishën. Sali, sot më dhe një provë që ti e ndjek axhendën time politike dhe tnai jam i bindur, më vjen mirë që më ndjek Sali në aktivitetet e mia politike, se në fakt edhe unë e ndjek aktivitetin tënd politik. Por në fakt e ndjekim njëri-tjetrin për qëllime të ndryshme, unë të ndjek si pasqyrë për të parë veten që të mos jem në politikë si ty, kjo është aryseja që të ndjek. Kam edhe një thirrje, sugjerim miqësor. Sali, çliroje mendjen dhe shpirtin nga dosjet, sepse dosja jote është kaq e madhe, sa do të shtosh aty, nuk ndryshon më kurrgjë, ja ke vënë kapakun asaj dosjeje me titullin akademik non grata dhe çfarëdo dhe kur s’të ka bërë fajde as kjo, s’të bën asgjë tjetër në këtë Parlament”, u shpreh ish-ministri nga foltorja e Parlamentit.
Kryeparlamentari Niko Peleshi bëri një reagim të shkurtër pas adresimit që pati Manja, duke i thënë se do e dëgjonte atë çfarë tha, por nuk do ndryshonte qëndrimin.
“Unë nuk do vazhdoj të përgjigjem për replikë por do e dëgjoj atë që the. Mund të ndryshoj qëndrim, por jo sjellje”, tha Peleshi.
Berisha iu drejtua Manjës se Belinda Balluku kishte bërë dosje ndaj tij dhe ndaj ish-ministri i rrinte ‘lepe peqe’ dhe kjo solli debate të forta në Kuvend, deri edhe në përplasje me kryeparlamentarin Peleshi.