Kreu i SPAK përgjigjet për mbajtjen në burg të Metës, takimin në Aruba, imunitetin e Ballukut dhe nëse ka ndërhyrë Rama
Publikuar më 15.07.2026 nga shekulli_admin
Kreu i SPAK, Klodian Braho, komentoi në lidhje situatën ligjore të ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se nuk jep deklarata për çështje konkrete që janë në proces.
I pyetur nga deputetja Elda Hoti se përse Meta vijon të mbahet në burg, ndërsa Berisha është i detyruar të paraqitet dy herë në muaj në Prokurori, Braho u shpreh se çdo person i proceduar ka të drejtën të ndjekë rrugët ligjore për të kundërshtuar masat e vendosura ndaj tij.
“Të gjitha pyetjet tuaja lidhen me çështje konkrete dhe unë nuk kam koment. Kush është i proceduar ka të drejtë të kundërshtojë në gjykatë dhe ta çojë çështjen edhe në gjykata më të larta”, deklaroi ai.
Lidhur me pretendimet për afera ndaj kryeministrit Rama, Braho tha se çdo akuzë duhet të mbështetet me prova. “Sa i përket ndërhyrjeve të kryeministrit, nëse keni prova, paraqitini në organin kompetent. Ajo që them unë është se të gjithë janë të barabartë para ligjit”, u shpreh kreu i SPAK.
Ndërsa për çështjen e ndërtimeve në Kurbin, Braho konfirmoi se procedimi është ende në fazën e hetimit. “Në lidhje me çështjen e ndërtimeve në Kurbin, është një çështje në hetim”, tha ai.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi se Prokuroria e Posaçme nuk konsideron asnjë dosje të pezulluar si të mbyllur përfundimisht, duke theksuar se hetimet vijojnë sa herë krijohen mundësi për identifikimin e autorëve ose sigurimin e provave të reja.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho u shpreh se edhe kur një person shpallet në kërkim, procedimi penal vazhdon.
“Nëse një person është në kërkim, çështja vazhdon të hetohet. Nuk kemi ndonjë të dhënë të saktë për numrin, por ka edhe çështje të kthyera pas pezullimit të një çështjeje. Nuk mund të quhet asnjë çështje ‘e vdekur’. Krimi i organizuar shpeshherë ka autorë që nuk janë të identifikuar”, tha ai.
Braho u ndal edhe te hetimet financiare, duke bërë të ditur se SPAK po ndjek me vëmendje gjurmët e pasurive të krijuara nga aktiviteti kriminal jashtë vendit.
“Për pasuritë jashtë vendit, trendi i shtetasve shqiptarë të përfshirë me aktivitet jashtë vendit është që produktet e veprës penale t’i sjellin në Shqipëri. Së fundmi kanë nisur t’i shpërndajnë, të mos i sjellin në Shqipëri. E tillë është një pasuri 12.7 milionë euro, që është një shembull. Ka edhe raste të tjera, por nuk mund të flas për momentin”, deklaroi kreu i SPAK.
Sa i përket sigurisë së institucionit, Braho tha se godina e SPAK dhe personeli mbrohen nga Garda e Republikës dhe se bashkëpunimi me këtë institucion ka qenë i vazhdueshëm.
“Godina e SPAK dhe personeli mbrohen nga Garda e Republikës dhe nuk kemi pasur asnjë problem me këtë institucion. I falënderoj edhe për këtë pjesë dhe na kanë mbështetur për këtë drejtim. Ka pasur mbrojtje shtesë për disa prokurorë, nuk mund të jap të dhëna shtesë, por ajo që mund të them është se komisioni ka qenë gjithnjë mbështetës në raste të tilla kur është kërkuar mbrojtje shtesë”, u shpreh Braho.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka folur për dosjen që lidhet me takimin e shumëpërfolur në Aruba, duke garantuar se çdo provë e administruar gjatë hetimeve po trajtohet sipas procedurave ligjore.
Braho hodhi poshtë pretendimet për mosveprim të Prokurorisë së Posaçme, duke i cilësuar ato si hamendësime dhe theksoi se në SPAK të gjithë janë të barabartë para ligjit.
“Nuk dua të ndalem te çështja konkrete, sepse është në hetim, por ajo që ju garantoj është se nuk mund të ndodhë që në SPAK të ketë një provë në një dosje dhe të lihet aty në gjumë. Këto që thuhen janë hamendësime. Në momentin e mbylljes së hetimeve mund të bëjmë transparencë mbi detaje të caktuara. Për SPAK-un janë të gjithë të barabartë para ligjit”, tha kreu i Prokurorisë së Posaçme.
Kreu i SPAK, Klodian Braho u pyet nga deputeti demokrat Ivi Kaso gjatë mbledhjes së Komisionit për Nismat Qytetare nëse do t’i drejtohen sërish Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit të ish zv kryeministres Belinda Balluku.
Ai deklaroi se prokuroria e posaçme ka qenë e qartë me kërkesën e saj për heqjen e imunitetes si deputete dhe për arrestimin e saj. Braho deklaroi se do të kenë një vendimmarrje përkatëse në vijimësi të hetimeve.
“Prokuroria ka qenë e qartë për kërkesat, për atë që ka kërkuar. Sot nuk mund të vlerësoj qëndrimin e kuvendit me një kërkesë të caktuar. Nuk mund të them më tej detaje konkrete.
Mbase në një moment të mëvonshëm, prokuroria do të ketë një vendimmarrje përkatëse në vijim të hetimeve.
Ajo që është e qartë është që Prokuroria e ka pasqyruar në diskutimet me dyer të mbyllura atë çfarë ka kërkuar dhe është i qartë reagimi i Prokurorisë pas vendimmarrjes së Kuvendit.” , tha Braho.
Braho u pyet në Komisionin për Nismat Qytetare nëse kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë për të shtyrë deri në shtator kërkesën që do të dërgohet në Kuvend për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Pyetja kreut të organit të akuzës iu drejtua nga deputetja demokrate Elda Hoti.
“A ka ndërhyrë kryeministri Edi Rama për të shtyrë të paktën deri në shtator zbatimin e ligjit për çështjen Balluku. Si i garantoni qytetarët se SPAK zbaton të njëjtin standard ndaj çdo zyrtari, politikani pavarësisht përkatësisë politike dhe se drejtësia nuk perceptohet si selektive.”, u shpreh deputetja e PD.
Kryeprokurori deklaroi se nëse kanë prova mund t’i paraqesin në prokurori, ndërsa shtoi se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
“Sa i përket ndërhyrjeve të kryeministrit, nëse mendoni se keni prova, paraqitini ato për ndjekje penale në organet kompetence. Unë i qëndroj të njëjtit mendim se janë të gjitha të barabartë para ligjit.”, tha ai.