“Smart City” nis monitorimin e shkollave, Rama: Kjo është përgjigjja jonë për vrasjen e Martin Canit
Publikuar më 16.07.2026 nga shekulli_admin
TIRANË- Është prezantuar sot në Tiranë projekti “Smart City”, që synon kontrollin dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, fillimisht në shkolla, dhe më pas në hapësira të tjera publike. Projekti u prezantua në një ceremoni që u mbajt në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit, ku ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, partnerë e të ftuar, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
“Qendra e Komandës dhe Kontrollit ngrihet dhe qëndron nga sot, në zemër të një filozofie dhe qasjeje të re të qeverisë shqiptare për sigurinë publike. Programi ‘Smart City’ nuk është thjesht një projekt kamerash. Kush e sheh kështu, ose e zvogëlon me dashje, ose nuk e ka kuptuar ende dimensionin e tij,” u shpreh Lamallari gjatë fjalës së tij, ndërsa më tej shpjegoi se sistemi bazohet në 3 komponentë të integruar: burimet e informacionit të shpërndara në territor, platformën e centralizuar të komandës dhe kontrollit, si dhe inteligjencën artificiale që analizon në kohë reale të dhënat e mbledhura. Sipas tij, sistemi përpunon informacionin e ardhur nga 873 lokacione operative, të shpërndara në 12 Drejtori Vendore të Policisë, 24 qytete kryesore, 28 pika të kalimit kufitar dhe 20 shkolla në qytetin e Tiranës, duke mundësuar reagim të menjëhershëm ndaj çdo rreziku të mundshëm.
“Çdo sjellje potencialisht e rrezikshme apo në shkelje të normave ligjore detektohet përmes inteligjencës artificiale dhe merr formën e një ‘alerti’ pikërisht këtu në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit, për t’u ndarë menjëherë me patrullën më të afërt në territor. Sistemi është projektuar të evidentojë, analizojë dhe paralajmërojë në kohë reale, duke mundësuar një reagim proaktiv dhe parandalues,” deklaroi ministri.
Duke folur për zbatimin e fazës së parë të projektit, Lamallari theksoi se nisja me 20 shkollat më të frekuentuara të Tiranës është një zgjedhje me rëndësi strategjike.
“Nuk është e rastësishme që këtë projekt, i cili është me plot kuptimin e fjalës një kapërcim epokal në garantimin e sigurisë në Shqipëri, e nisim me 20 shkollat më të frekuentuara të kryeqytetit. Siguria e një vendi nuk matet vetëm me statistikat e luftës kundër krimit, por edhe me aftësinë reale për të mbrojtur fëmijët tanë,” tha ai.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij u shpreh se një iniciativë e tillë do t’i japë fund ngjarjeve tragjike në shkolla, duke risjellë në vëmendje vrasjen e Martin Canit, në shkollën Fan Noli në Tiranë.
“Të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike të një nxënësi të shkollës “Fan Noli”, e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë me versione të ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Ndërkohë që Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit dhe qeveria u vunë në shënjestër të spekulimeve, akuzave, sajesave e fabrikimeve, të cilat zgjatën jo pak dhe torturuan jo vetëm familjarët, por edhe gjithë opinionin publik, unë nuk e kam harruar, siç e harruan të gjithë ata që abuzuan deri në fund me atë tragjedi. E kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt, që është përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie.
Një shtet nuk matet me çdo gjë që ndodh, sepse edhe në shtetet më të zhvilluara, me sistemet më të sofistikuara administrative, ka raste kur ndodhin ngjarje që trondisin mbarë opinionin publik. Por një shtet matet me mënyrën se si reagon. Reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemik, i cili, edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme, do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët potencialisht mund të jenë një ditë të rrezikuar, të mos kenë asnjë pasojë, pikërisht sepse ky reagim do të lërë pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik, që do të harmonizojë përpjekjet e institucioneve me aftësitë e inteligjencës artificiale. Kësisoj, do të mundësohet që parandalimi të ngrihet në një nivel tjetër. Keni nisur me zemrën e projektit, që është siguria në shkolla”, tha Rama.