Rama pritet me ceremoni zyrtare në Romë, kryeministri ulet në gjunjë sërish për homologen Meloni
Publikuar më 16.04.2026 nga shekulli_admin
Kryeministri Rama, i cili nisi sot vizitën e punës në Romë, Itali, u prit në ceremoni zyrtare nga Kryeministrja e Republikës së Italisë Giorgia Meloni në Pallatin Chigi, me të cilën zhvilloi më pas një takim kokë më kokë, me fokus ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, thellimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe çështjet me interes të përbashkët rajonal dhe evropian.
Ai përsëriti uljen në gjunjë për homologen italiane, gjatë pritjes ceremoniale në Farnezina.
Vizita e kryeministri Rama në Romë dhe Barcelonë zhvillohet në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Zyra e Kryeministrisë bën me dije se gjatë qëndrimit në Itali, Kryeministri Rama pas takimit me Kryeministren italiane Giorgia Meloni, do të takohet më pas edhe me Ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Kryeministri Edi Rama, pas takimit me homologen e tij italiane Giorgia Meloni në Rome, vlerësoi nivelin e ri të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Rama theksoi se, ndonëse Italia ka qenë tradicionalisht mbështetëse e Shqipërisë gjatë dekadave të fundit, qeveria aktuale italiane ka ndërmarrë një program të paprecedentë bashkëpunimi strategjik. Sipas tij, thellimi i marrëdhënieve përmes projekteve konkrete pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e sigurisë për Shqipërinë.
“Të gjitha qeveritë e Italisë në 35 vitet e fundit kanë qenë posaçërisht dashamirëse ndaj Shqipërisë, por asnjë qeveri italiane nuk ka vënë në lëvizje një program kaq të ngjeshur bashkëpunimi strategjik me Shqipërinë, sa qeveria e Giorgia Melonit. Afrimi i mëtejshëm me Italinë përmes projekteve të mëdha e konkrete sjell më shumë zhvillim e siguri për Shqipërinë”, tha Rama.
Ndërsa në vijim të vizitës, Kryeministri Rama do të marrë pjesë me ftesë të kryeministrit Pedro Sanchez, në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë, Spanjë.
Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit te institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.
Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrin Sanchez, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.