Ngjarje e rëndë në Akademinë e Policisë, helmohen nga ushqimi 56 studentë, 2 prej tyre shtohen në spital
Publikuar më 07.05.2026 nga shekulli_admin
56 studentë të Akademisë së Policisë janë paraqitur me simptoma helmimi në shërbimin infektiv, pasi dyshohet se kanë konsumuar ushqim të kontaminuar në ambientet e Akademisë.
Studentët u paraqitën në spital për ndihmë mjekësore, dhe aktualisht vetëm dy janë shtruar, ndërsa pjesa tjetër janë larguar.
Pas ngjarjes janë marrë mostra të ushqimit për analiza laboratorike, ndërsa ka nisur hetimi epidemiologjik nga ISHP dhe AKU.
Akademia e Sigurisë e siguron shërbimin ushqimor përmes një kompanie private kateringu, e cila ofron tre vaktet ditore për studentët.
News24 mëson se bëhet fjalë për kompaninë Sori-al, me administratore Alma Tafanin, e cila është shpallur në kërkim.
Ndërkohë, institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Arrestohen 2 persona, administratorja shpallet në kërkim
Komisariati nr. 1 arrestoi 2 persona dhe shpalli 1 në kërkim për skandalin e helmimit të studentëve në Akademinë e Sigurisë.
Burime bëjmë me dije se në pranga kanë rënë teknologu dhe kuzhinieri i kompanisë katering që shpërndante ushqimin në 3 vakte për studentët dhe shpalli në kërkim administatoren, Alma Tafani. Ndërsa është proceduar edhe një teknologe tjetër.
Studentët që u helmuan kanë pasur simptoma të rëndë me të vjella dhe dhimbje të forta barku. Pasi janë paraqitur në spital, kanë marrë mjekim, serume dhe janë kthyer.
“Dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast:
-arrestuan në flagrancë shtetasit Kujtim Ballgjini, 52 vjeç dhe Kristjana Plaka, 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;
-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe.
Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve””, njofton policia.
Reagon AKU
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet një komunikimi ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie.
Menjëherë nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë këtij institucioni, ushqim që vjen i gatshëm prodhuar në ambientet e garnizonit “Skërnderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura Tiranë.
Sipas kontrollit të ushtruar të ambientet e kuzhinës së vendosur brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme.
Nga verifikimi në moment kontrolli rezulton që në këtë ambient nuk kryhet proces gatimi, produktet vinin të gatshme catering nga subjekti SORI-AL, prodhuar në ambientet e kuzhinës së “Garnizoni Skënderbej”, Tiranë.
Më konkretisht në moment kontrolli u konstatua pilaf, makarona, fasule, sallam dhe kos i hapur gati për shërbim, nga të cilat u bllokuan 85.9. kg produkt dhe u mor mostër për analizim mikrobiologjik, që u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
Për mungesë të një sistemi funksional dhe të plotë gjurmimi ndaj subjektit u vendos masë administrative me gjobë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë u krye kontroll edhe në ambientet e subjektit SORI-Al me adresë “Garnizoni Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, ku u konstatua se OBU nuk u gjet në proces pune pasi prodhimi kryhet në orare të caktuara.
Në subjekt nuk u konstatua produkt i gatshëm për konsum, pasi produktet e prodhuara shpërndahen menjëherë tek pikat kontraktuese.
Për qëllim të inspektimit në subjekt janë marrë mostra për produktet e konstatuara dhe më konkretisht djathë i bardhë lope, kos lope, vezë, sallam për analizim të ngarkesave mikrobiologjike të cilat u dërguan pranë laboratorit të ISUV.
U bllokua sasia gjendje prej 67.3 kg produkte,1350 kokrra vezë, dhe ndaj subjektit u vendos masa administrative me gjobë për mungesë të sistemit të plotë të gjurmueshmërisë në vlerën e 100 mijë lekëve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë procesit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.