Ilir Meta mbetet në burg, ish-Presidenti sërish bën shqiponjën dhe numrin 7. Debate për seancën pa media
Publikuar më 11.05.2026 nga shekulli_admin
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua seanca e dytë e gjyqit në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta.
Gjykata rrëzoi kërkesën e Metës për ndryshimin e masës së sigurimit personal, duke lënë në fuqi masën “arrest me burg”.
Meta kishte kërkuar lirimin kundrejt një garancie pasurore prej 50 mijë eurosh.
Mbrojtja argumentoi se Meta ndodhet prej 19 muajsh në paraburgim dhe se gjykimi në themel ende nuk ka nisur, ndërsa pretendoi se rreziku për intimidim dëshmitarësh apo prishje provash mbetet spekulativ.
Avokati Kujtim Cakrani solli si precedent edhe rastin e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke kërkuar një masë më të butë sigurie për kreun e Partisë së Lirisë.
Nga ana tjetër, prokurori Sotir Kllapi kundërshtoi kërkesën, duke deklaruar se mbrojtja nuk kishte paraqitur asnjë rrethanë të re që të justifikonte ndryshimin e masës së sigurisë.
Sipas prokurorisë, veprimtaria kriminale për të cilën akuzohet Meta shtrihet në periudhën 2009-2017 dhe rrezikshmëria shoqërore mbetet evidente.
Prokurori theksoi gjithashtu se edhe Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar proporcionale masën e sigurisë ndaj Metës.
Në përfundim, GJKKO vendosi të rrëzojë kërkesën e palës mbrojtëse, duke lënë në fuqi masën “arrest me burg” për Ilir Metën.
Meta është shfaqur në kafazin e xhamit brenda sallës së gjyqit, ndërkohë që ish-bashkëshortja e tij ndodhet para tij, ndërsa për asnjë moment nuk e ka kthyer kokën nga Meta.
Ndërkohë në një moment, Meta ka përshëndetur me simbolin me dy gishta, dhe duke bërë shqiponjën.

Monika Kryemadhi, ka folur sot në seancën gjyqësore ndaj Ilir Metës në GJKKO, ku ngriti shqetësime lidhur me provat dhe materialet hetimore të vëna në dispozicion nga SPAK.
Kryemadhi deklaroi se mbështet kërkesat e avokatit të Metës, Kujtim Cakrani, në lidhje me mbajtjen e Metës në kafazin prej xhami.
“Jam dakord me kërkesat e avokatit Cakrani. Sallat janë tipike amerikane, por ka një ndryshim, edhe vrasësit serialë atje ulen me avokatin përkrah”, u shpreh ajo.
Ish-deputetja tha se ka marrë një USB me prova nga akuza, por sipas saj materiali nuk hapet dhe kërkoi që t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet dhe përgjimet.
“Kërkoj të merren masa të më vendoset siç duhet. Nuk më janë vënë në dispozicion aktet për çdo përgjim familjarëve”, deklaroi Kryemadhi.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK thanë se USB-ja është marrë në gjykatë dhe problemi do të zgjidhet.
“Do ta zgjidhim, do ta japim”, u shpreh prokuroria.
Debati vijoi edhe për përgjimet ambientale, ku Kryemadhi insistoi se në listën e provave përmenden mbi 20 përgjime, por sipas saj ato nuk ndodhen në materialet e dorëzuara.
“Dua edhe përgjimet. Në listën e provave thuhet që ekzistojnë mbi 20 përgjime ambientale, kështu që duam t’i marrim. Në ato materiale nuk ekzistojnë”, tha ajo.
Gjykata sqaroi se nuk mund të japë materiale që nuk i disponon, ndërsa theksoi se është detyrim i organit procedues t’ua vërë ato në dispozicion palëve.
Seanca në themel për Ilir Metën dhe personat e tjerë të pandehur është shoqëruar me debate.
Mediat janë lejuar të filmojnë vetëm disa momente, më pas kamerat janë nxjerrë jashtë. Ndërkohë avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani ka kundërshtuar, duke thënë se kjo është një seancë publike dhe duhet të transmetohet.
Eksponentë të Partisë Lirisë, por edhe të Partisë Demokratike kanë ngritur shqetësimin se seancën duan ta ndjekin edhe të tjerë, por nuk janë futur.
Gjyqtarja është përgjigjur duke thënë se “ky nuk është miting”.
Gjyqtarja: Çdo shtetas i kësaj republike ka të drejtë të vijë ta ndjekë gjykimin. Por e kemi vendosur qe kamerat do qëndrojnë fare pak.
Avokati: Kam një kërkesë qe doja ta bëja në prani të kamerave. Në nenin 339 dhe në konventën evropiane dhe duke nisur nga koha e diktaturës, proceset e rëndësisë së veçanta duke nisur nga grupet armiqësore të Enver Hoxhës janë bërë edhe në altoparlantë.
…
Avokati: Ja dinjiteti njerëzor, presidenti në kafaz me xhama. Ku e keni dinjitetin me këto sallat e reja , ja ku janë tenderat presidenti në kafaz me kë talleni ju, s’jemi budallenj.
Gjyqtarja: Kjo është një seancë publike
Avokati: Jo ju spo bëni gjykim publik. Edhe salla është e vogël , mbase do të vijë gjithë partia s’ka vend, ka vend vetëm për 30 veta.
Gjyqtarja: Pra ka të tjerë qe kanë ardhur e nuk hyjnë dot
Monika Kryemadhi: Po ja përshenbull Miranda Rira pedagogë, s’është Miranda vetëm janë 200 veta
Klevis Balliu nga salla: Ka njerëz jashtë 200 veta
Tedi Blushi: Ka njerëz jashtë qe duan të ndjekin gjyqin dhe s’po i lënë
Gjyqtarja: Ky nuk është miting
Pamjet e seancës
Ilir Meta shihet brenda kafazit të xhamtë duke bërë gjeste simbolike, përfshirë shqiponjën dhe numrin 7 me duar.
Numri 7 sipas gazetarëve është ironia e Metës me SPAK, që ka deklaruar në një proces tjetër se kushtet në kafaz janë me pesë yje. “Është me shtatë yje kafazi”, tha Meta.
Ndërkohë, Monika Kryemadhi është parë e përqendruar te dokumentet e procesit gjyqësor. Ajo është ulur afër ish-bashkëshortit të saj, por i ndan kafazi i xhamtë.
Pamjet janë bërë virale dhe kanë tërhequr vëmendje për mënyrën e zhvillimit të seancës dhe komunikimit në sallë.
Meta është përshëndetur, ndonëse qëndronte pas kafazit prej xhami, nga deputeti Bujar Leskaj, por dhe nga Flamur Noka.
Bujar Leskaj: President si je? Je i fortë!
Meta: Jam mirë jam i fortë, (nuk dëgjohet kur përshëndet Nokën e mbështetësit në sallë)
Afrohet dhe thotë: Akustika, akustika, xhami


\










