Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kundërshton terapinë hormonale në QSUT për transgjinorët: Të miturit s’duhet të vendosen përballë proceseve me pasoja afatgjata për jetën e tyre
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kundërshtuar ashpër urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas së cilit, për herë të parë në shërbimin publik shëndetësor në Shqipëri do të kryhet terapia hormonale e personave transgjinorë.
Përmes një reagimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thekson se të miturit nuk duhet të vendosen përballë ‘proceseve me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur personaliteti dhe identiteti i tyre janë ende në formim.’
Sipas Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, shoqëria jonë nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë paqartësi dhe tension social në raport me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj.
Në fund të reagimit, ai i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe gjithë aktorëve shoqërorë ‘që çështje të tilla të mos trajtohen me nxitim apo nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohëshme, por me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare.’
Reagimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë:
Qëndrim publik mbi udhëzimin për terapinë hormonale te të miturit
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po ndjek me shqetësim të thellë debatin publik të krijuar pas publikimit të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë në tërësi, dhe në veçanti pjesën, ku ndër të tjera thuhet: “Terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç.”
Ashtu sikurse kemi qëndruar publikisht kundër ligjit të ashtuquajtur për barazinë gjinore, i mbetemi koherent qëndrimit kundër edhe derivateve të tjera të tij, siç është rasti konkret.
Udhëzime të tilla përbëjnë një çështje jashtëzakonisht delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik sidomos të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Për këtë arsye, çdo hap institucional në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh kundërshtimin e tij ndaj çdo qasjeje që hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të tilla.
Ne besojmë se të miturit nuk duhet të vendosen përballë proceseve me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur personaliteti dhe identiteti i tyre janë ende në formim.
Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje, orientim, mbështetje familjare dhe kujdes profesional të përgjegjshëm.
Shoqëria jonë nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë paqartësi dhe tension social në raport me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj.
KMSH i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe gjithë aktorëve shoqërorë që çështje të tilla të mos trajtohen me nxitim apo nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohëshme, por me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare.
Ne qëndrojmë pranë shqetësimit të shumë prindërve dhe besimtarëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e vlerave familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e ndjeshmërisë morale e kulturore të shoqërisë sonë.
Reagon Ministria
Ndërkohë zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Eugena Tomini sqaroi sot se udhëzuesi mbi trajtimin hormonal për transgjinorët përbën një dokument orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik. Ky udhëzues është hartuar mbi bazën e praktikave dhe rekomandimeve ndërkombëtare, si edhe të vlerësimit të një ekipi multidisiplinar specialistësh.
“Çdo rast vlerësohet individualisht nga ky ekip multidisiplinar dhe nëse shfaq apo ka patologji të caktuara, përjashtohet nga ky udhëzim”, tha Tomini.
Sipas zv.ministres Tomini, dokumenti ka si qëllim orientimin e profesionistëve të shëndetësisë në procesin e rekomandimit të terapisë hormonale për individët që referohen për këtë shërbim dhe nuk rekomandon nisjen e trajtimit në fëmijëri.
Ajo theksoi se udhëzuesi i referohet vetëm adultëve të këtij target grupi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e konsentit individual të informuar.
Në lidhje me çështjen e rimbursimit, Tomini sqaroi se udhëzuesi nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për medikamentet hormonale. Dokumenti përfshin vetëm rekomandime të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të terapive hormonale, bazuar në praktikat klinike ndërkombëtare.