Kryesia e PD-së vendosi që të jetë i vetëm në garën për kryetar, Berisha komenton mungesën e rivalëve: PD është parti e hapur ndaj garës, kurrë s’kam tentuar dhe nuk do të tentoj të krijoj kandidaturë
Publikuar më 05.05.2026 nga shekulli_admin
Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur sot që Sali Berisha të jetë kandidati I vetëm në garë në zgjedhjet e 23 majit për drejtimin e partisë.
Vendimi është komunikuar në fund të mbledhjes nga deputeti Ivi Kaso.
“Komisioni njëzëri vlerësoi se zoti Berisha i plotësonte të treja këto kritere, ndërkohë që dy kandidatët e tjerë, pavarësisht se plotësonin kushtin e të qenit anëtarë të Partisë Demokratike, si zonja Sela dhe zoti Mulaj, nuk plotësonin kriteret e tjera përsa i përket eksperiencës së tyre drejtuese në strukturat qendrore dhe vendore të Partisë Demokratike për një periudhë 10-vjeçare, dhe për këtë arsye u konsideruan të papërshtatshme nga KOKOE-ja dhe u konsideruan gjithashtu të papërshtatshme dhe nga kryesia e Partisë Demokratike për të garuar”, tha Kaso.
Pyetje: Ditën e djeshme zonja Sela ka dërguar në gjykatë shkresat për të cilat nuk është pranuar këtu nga selia e Partisë Demokratike për të kandiduar. Keni një koment për këtë?
Ivi Kaso: Nuk është pranuar për të kandiduar, ju referojeni vendimmarrjes e cila nuk e ka kualifikuar. Unë besoj që vendimi i KOKOE-s është i qartë dhe i arsyetuar.
Ndalet në rastin e zonjës Sela, e cila siç KOKOE e ka vërejtur dhe ka shqyrtuar, plotëson vetëm një kriter nga ato të përcaktuara në vendimmarrjen e datës 18.03, pra vetëm kriterin e anëtarësisë.
As nga pikëpamja formale dokumentacioni i zonjës Sela nuk ishte i plotë, pasi i mungonte dhe kriteri tjetër thelbësor, pra paraqitja e formularit të dekriminalizimit, të cilin zonja nuk e ka paraqitur pranë Partisë Demokratike, por tutje asaj, për shkak se nuk plotësonte kriterin themelor, atë të një figure me eksperiencë drejtuese 10, të paktën 10 vjeçare në strukturat e larta drejtuese të Partisë Demokratike, automatikisht ka pasjellë skualifikimin e kësaj zonje.
Sigurisht statuti parashikon edhe mënyrat në të cilat ankohet ndaj kësaj vendimmarrje kushdo i interesuar që është bërë pjesë e garës, dhe sigurisht ankimimi i drejtpërsëdrejti në gjykatë, në qoftë se është kjo që ka ndodhur, nuk është rruga e duhur statutore, pasi statuti parashikon që në këto raste ankimimi i drejtohet së pari gjykatës së partisë dhe mbas ezaurimit të kësaj rruge administrative, eventualisht çështja mund të bëhet objekt shqyrtimi edhe gjyqësor.
Por besoj që në këtë rast jo vetëm statuti, por edhe kriteret e vendosura dhe transparenca që ka bërë KOKOE në vendimmarrjen e saj përsa i përket kësaj zonje, lë pak vend për diskutim.
Sali Berisha u shpreh se PD është parti e hapur ndaj garës, duke iu referuar zgjedhjeve të 23 majit ku ai kandidon i vetëm.
“PD parti e hapur ndaj garës. Kurrë nuk kam tentuar dhe nuk do të tentoj të krijoj kandidaturë”, tha Bersha gjatë mbledhjes së Kryesisë.
Sali Berisha: Dy fjalë do të them para se ju të nisni punën. Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet në mënyrë absolute parti e hapur ndaj garës më eprore. Partitë që zgjedhin kryetarët me një anëtar, një votë, nuk janë shumicë, por janë pakicë. Janë një pakicë që po rritet. Kanë qenë shumë pak, po bëhen më shumë, përsëri janë pakicë. Por natyrisht, nuk ka mënyrë më dinjitoze të përfilljes së anëtarësisë sesa t’i ftosh ata të votojnë për kryetarin e degës, për kryetarin e partisë e me radhë. Kështu që në këtë, në këtë kuadër ne kemi instaluar me kohë, jemi dhe do mbetemi në mënyrë të hekurt partia e garës së lirë, partia e garës së ndershme, por themelore, partia e anëtarëve të saj. Të qëndrosh partia e anëtarëve të saj do të thotë t’u japësh të drejtë atyre të shprehen dhe do të thotë të votohen ata që mbrojnë interesat e tyre dhe që i zgjedhin ata dhe jo t’ia caktojë kush të tjerë. Kjo nuk mund të ndodhë. Kjo nuk ndodh. Ndaj dhe në përputhje me këtë parim, ne mbetemi të vendosur. Partia tjetër, siç e shihni ju, nga viti 2009 e deri sot nuk ka votuar asnjëherë. Në statut e ka si ne. E ka si ne. Një anëtar, një votë. Po, Edi Rama ka alergji absolute nga vota. Nga vota.
Ndaj dhe ai nuk bën votë. E ka përjashtuar votën nga partia. Partia jonë nuk e përjashton kurrë votën. Por një gjë do t’ju them të dashur miq. Kurrë në jetën time nuk kam tentuar dhe nuk do të tentoj kurrë të krijoj kandidaturë. Atë te Sali Berisha mos e prisni kurrë dhe jua them prapë këtu. Në mënyrë absolute, gjerë sot, nuk i kam thënë njeriut të kandidojë. Asnjëherë. Nuk i kam thënë kurrë Lulzim Bashës të kandidojë.
S’i kam thënë kurrë Sokol Olldashit të kandidojë, të ndjerit Olldashit të kandidojë.
S’i kam kërkuar kurrë Uran Butkës të kandidojë me mua. Jo.
S’i kam kërkuar kurrë Ibsen Elezit të kandidojë.
Refuzoj në mënyrën më kategorike praktikën që kandidati të përpiqet të zgjedhë rivalin. Nuk ka gjë më të papranueshme. Dhe cilido që i ndjek këto gara, shumë thjesht, le të shohim, janë me një, janë me dy kandidatë, por e vërteta shumica, të themi atë që është, shumica dërrmuese e atyre që janë një anëtar një votë, nuk janë me shumë kandidatë.
Pse? Sepse personalitetet që do të donin të kandidonin, vlerësojnë shanset e fitores. Dhe kjo ata i frenon për të marrë përsipër një rezultat të dytë. Asnjë arsye tjetër nuk ka. Asnjë arsye tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë. Por kandidatë falso s’mund të krijoj. Kjo besoj jemi dakord.
Në përzgjedhjen e kandidatëve ka kritere. Madje ka forca politike që kanë kritere edhe të forta. Ne jo, nuk kemi kritere të forta. Ne kemi kritere, ato që janë përcaktuar. Dhe ju do t’i vlerësoni, do të bëni vlerësimin e tyre.
Pra, Partia Demokratike ka qenë, është dhe do jetë partia e garës, parti e anëtarëve të saj, e votës së tyre. Cilido.
Por nuk do jetë kurrë parti e kandidaturave kallpe. Nuk krijojmë ne kandidatura. Nuk i kam thënë, nuk i kam thënë kurrë Ibsen Elezit, kandido, por rival, ka kandiduar vetë.
Dhe e dëgjoj, pavarësisht çfarë thotë, po ai vetë ka kandiduar dhe ka qenë, ju e dini, ka qenë me funksione jo të vogla. Pra, kaq kisha për të thënë.