Braktisi PS dhe iu bashkua protestave për dorëheqjen e Ramës, Balla: Marjana Koçeku të dorëzojë mandatin sepse ia dha PS, nuk është e votuar drejtpërsëdrejti
Publikuar më 29.06.2026 nga shekulli_admin
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i ka kërkuar deputetes Marjana Koçeku që të dorëzojë mandatin, pasi kjo e fundit braktisi PS, iu bashkua protestave dhe doli si e pavarur.

Në përfundim të mbledhjes së Grupit Parlamentar, Balla argumentoi se ajo nuk është zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, por përmes listave të Partisë Socialiste.
Sipas tij, vetëm një deputet i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët do të kishte të drejtë ta përdorte mandatin.
“Një njeri që nuk di të respektojë ata që e kanë zgjedhur dhe dua tju them personin në fjalë e ka zgjedhur PS, të dorëzojë mandatin se ja ka dhënë PS, sepse nuk është një person i votuar drejtpërsëdrejti, kur të votohet drejtpërdrejtë ka të drejtë të përdorë mandatin”, tha Balla.
Deputetja e Qarkut e Shkodrës, Marjana Koçeku njoftoi më 14 qershor se nuk do të jetë më pjesë e grupit parlamentar socialist , duke deklaruar se do të ushtrojë mandatin si deputete e pavarur.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçeku shkruante se idealet dhe vlerat e saj mbeten të njëjtat që ka pasur përpara se të angazhohej me një forcë politike, duke lënë të kuptohet se ka vendosur të distancohet nga Partia Socialiste.
Ndërkohë në një letër të hapur drejtuar kryeministrit, deputetja i bëri thirrje të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të japë dorëheqjen.
“Nëse do t’jua doja të mirën, do t’ju uroja ma pak pushtet dhe ma shumë fisnikëri. Kjo arrihet vetëm nëse kryeni aktin tuej të mbramë politik: atë të dorëheqjes.
E di se ky vendim kërkon ndjeshmëni morale, fisnikëri politike dhe mbi të gjitha atdhedashni. Uroj t’i gjeni sa ma parë këto virtyte, që vendin që shqiptarët jua dhanë ta leni me dinjitet. Për këtë, jeni ende n’kohë.
Sheshi po thërret me za eumenidje. Po i jep pushtetit mundësinë me vendosë drejtësinë. Prandaj si deputete e Kuvendit dhe si qytetare e Republikës së Shqipërisë, ju baj thirrje me vepru në emën të së mirës së përbashkët; në emën të asaj që asht dhe jo të asaj që ju mendoni se asht; t’i shpërbleni shqiptarët me dorëheqjen tuej”, thuhet ne reagimin e Kocekut.