Pas tragjedisë në Durrës, tjerër çmenduri në Belsh, shoferi i furgonit të nxënësve kapet i dehur në timon me 13 të mitur në mjet
Publikuar më 05.05.2026 nga shekulli_admin
Një rast i rëndë është regjistruar ditën e sotme, 5 maj, në zonën e Belshit, ku një drejtues mjeti që transportonte nxënës është konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Sipas njoftimit të Policisë, ndërhyrja erdhi pas një telefonate të bërë nga një qytetar në sallën operative të Cërrikut. Menjëherë, shërbimet e Postës së Policisë Belsh, në bashkëpunim me patrullën e Komisariatit Cërrik, organizuan kontrollin dhe bënë të mundur ndalimin e mjetit tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, që po qarkullonte në aksin Belsh–Gjolene.
Në drejtimin e mjetit ishte shtetasi Sazan Jashar Gjolena, 53 vjeç, banues në Gjolene, i cili transportonte 13 nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri”.
Pas verifikimeve përkatëse, policia i nënshtroi drejtuesit të mjetit testit të alkoolit në dy prova, të cilat rezultuan përkatësisht 0.68 mg/l dhe 0.67 mg/l, duke konfirmuar se ai ishte në gjendje të dehur.
Menjëherë pas konstatimit, drejtuesi i mjetit u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, policia mori masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e nxënësve, duke organizuar transportin e tyre me një mjet tjetër të transportit publik.
Autoritetet apelojnë për përgjegjësi maksimale nga drejtuesit e mjeteve, veçanërisht kur bëhet fjalë për transportin e fëmijëve.
Edhe pse ngjarja e rëndë e Durrësit tronditi Shqipërinë, asnjë ndërgjegjësim publik nuk ka pasur tek drejtuesit e mjeteve të cilët edhe pse transportojnë fëmijë, drejtojnë mjetin në gjendje të dehur.