Dita e Evropës, Rama: Viti 2027 është një objektiv i vendosur bashkërisht, por mbyllja e negociatave mund të zgjatet deri nga mesi i vitit 2028
Publikuar më 09.05.2026 nga shekulli_admin
Kryeministri Edi Rama u shpreh se edhe pse 2027 është vendosur si objektiv i përbashkët, mbyllja e negociatave mund të zgjatet deri nga mesi i vitit 2028.
Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e hapjes së Javës së Europës, në kuadër të 9 majit, kryeministri u shpreh se 2030 është një objektiv madhor për mbylljes e negociatave për integrimin në BE.
“Sa i përket çështjes së 2027, 2027 është një objektiv i vendosur bashkërisht, por është lënë edhe një hapësirë që, për një arsye ose një tjetër, mund të ketë edhe një zgjatje të mbylljes së negociatave deri nga mesi i vitit 2028. Jemi pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale. 2030 është vendosur si një objektiv madhor. Pas negociatave ka ratifikime, miratime nga shtetet dhe kërkon një kohë”, u shpreh Rama.
Në Ditën e Europës, kryeministri Edi Rama komentoi raportin e IBAR, ku tha se shtetet anëtarë kanë të drejtën e tyre për diskutim, ndërsa theksoi se Shqipëria i referohet Komisionit Europian.
“Subjektiviteti i shteteve anëtare është i padiskutueshëm dhe i pavënëshëm në pikëpyetje, sepse kanë të drejtën e tyre të bëjnë pyetje. Ne jemi me Komisionin; kur ata thonë që Shqipëria i ka plotësuar kushtet, për ne detyra është kryer. Ne vazhdojmë punën në të gjitha drejtimet. Kjo është një çështje e reformave dhe mënyrës se si ato implementohen, një çështje raporti me mediat. Garancia është te fakti që ne duhet të përpiqemi përditë dhe pastaj është Komisioni që gjykon”, tha Rama.
Për të njëjtën temë foli dhe ambasadori Silvio Gonzato, i cili hodhi poshtë spekulimet e Sali Berishës, duke thënë se raporti ka marrë vlerësim pozitiv.
Ambasadori Silvio Gonzato quan spekulim deklaratat e bëra nga PD për bllokimin e raportit të IBAR.
Gjatë eventit për Ditën e Europës, ai u shpreh se dokumenti është pozitiv, ndërsa shtoi se shtetet anëtare do ta diskutojnë, por nuk votohet.
“Siç e thashë edhe dje, kam dëgjuar shumë spekulime për çka po ndodh në Bruksel dhe duhet të jem pak pedagogjik në qasjen time në përgjigje. Së pari, grupi i punës, Koela, është një grup pune që bën bashkë përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së. Është një grup diplomatësh që mblidhen me dyer të mbyllura.
KE po vërtet ka dorëzuar këtij grupi raportin IBAR, një raport për të parë nëse Shqipëria ka përmbushur piketat e tanishme.
Raporti ka bërë vlerësim pozitiv. Janë shtete anëtare që do të diskutojnë; ato nuk hedhin një votë për këtë raport, por e diskutojnë. Nën udhëheqjen e Këshillit, Qipro duhet të miratojë një qëndrim dhe të shpjegojë piketat përmbyllëse që duhet të plotësojë Shqipëria.
Kapitulli i themeloreve është i pari që hapet dhe i fundit që mbyllet. Është një diskutim i rëndësishëm. Kjo është përgjigja ime.”, tha Gonzato.