I prenë veshin dhe i thyen këmbët, policia reagon për dhunimin e ish-kryetarit të PD-së në Lezhë
Publikuar më 11.05.2026 nga shekulli_admin
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Lezhë mbrëmjen e të shtunës, ku ish-kryetari i PD-së në njësinë administrative të Dajçit në Zadrimë të Lezhës, është dhunuar.
53-vjeçari, Sokol Toma, është goditur me sende të forta, teksa është dërguar tek Spitali i Traumës për mjekim më të specializuar.
Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, agresorët i kanë thyer këmbët dhe i kanë prerë veshin 53-vjeçarit. Ndërkohë zbulohet gjithashtu se Toma është shtruar tek ortopedia.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në autostradën Mamurras-Laç, në Sanxhak, teksa autorët i kanë marrë edhe telefonin.
Policia ka reaguar për herë të parë mbi incidentin e rëndë të ndodhur ndaj ish-kryetarit të PD Lezhë, Sokol Toma, që u bë viktime e dhunës me sende të forta nga disa persona gjatë natës së 9 majit, teksa vetëm ditën e djeshme gjithçka u bë publike.
Policia e Lezhës njofton nisjen e hetimeve dhe zbulon se janë sekuestruar pamjet filmike, që pritet të ndihmojnë si provë materiale dhe si ndihmë për identifikimin e autorëve.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 22:00 të datës 09.05.2026, në autostradën “Mamurras–Laç”, në afërsi të kryqëzimit të Sanxhakut, ku shtetas ende të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta, shtetasin S. T., 53 vjeç, banues në Lezhë, të cilit i kanë shkaktuar dëmtime në trup, sqarojmë se:
Menjëherë pas njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet intensive, ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave në një territor të gjerë, dhe po kryen një sërë veprimesh të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, shkruan Policia e Lezhës.