SPAK bllokon transaksionin e investitorit të huaj në Zvërnec, reagon ashpër Rama: Vendimi arbitrar! Prokuroria të hetojë origjinën e pronës, por s’ka shans që investimi të ndalojë sa të jem unë këtu
Publikuar më 02.06.2026 nga shekulli_admin
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një veprim të rëndësishëm në kuadër të hetimeve për projektin turistik në Zvërnec, duke bllokuar llogaritë bankare të investitorëve nga Katari.
Pak ditë më parë, vëllezërit Khayyat kishin transferuar rreth 195 milionë dollarë në Bankën Kombëtare Tregtare, fonde të planifikuara për blerjen e pronave dhe nisjen e punimeve për resortin e parashikuar në Zvërnec.
Investimi në Zvërnec mbështetet nga sipërmarrësit nga Katari, të cilët janë partnerë biznesi të Jared Kushner.
Për realizimin e projektit, ata kanë krijuar dy struktura biznesi në Shqipëri.
Fillimisht u regjistrua dega e kompanisë Urbacon Trading and Contracting, një nga grupet më të mëdha të ndërtimit në vendet arabe e më pas Sazan Holding, por mesa lihet të nënkuptohet nga drejtësia e re, Prokuroria e Posaçme ka ngritur stekën e preferon që në Shqipëri të qarkullojë vetëm leku cash i Gys Agasit dhe Belinda Ballukut, e jo pagesat me bankë të investitorëve nga Katari.
Reagon Rama
Kryeministri Edi Rama ka inkurajuar SPAK për hetimin e nisur mbi origjinën e pronës në Zvërnec në të cilën do të bëhet investimi.
Gjatë konferencës së sotme para gazetarëve, Rama u shpreh se bllokimi i transaksionit të investitorëve të huaj drejt pronarëve të kësaj prone, është akt arbitrar.
Ai shtoi më tej që teksa hetimet vijojnë për origjinën e pronës, investimi nuk do të ndalet.
Edi Rama: Kjo e SPAK-ut (i referohet hetimit të SPAK) ka dy pjesë: pozitive, që i takon SPAK-ut, dhe atë të shëmtuar, që u takon zëdhënësve të vetëofruar të SPAK-ut.
Pjesa pozitive është ajo e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Është shumë pozitive që SPAK-u ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim.
Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetëofruar, të cilët ndanë me opinionin publik gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, pasi investitorët që janë sot zotëruesit e pronës, duke ndjekur të gjitha procedurat që parashikon ligji shqiptar, janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm. Burimet financiare të tyre, përmes të cilave është kryer pagesa te zotëruesit e pronës, sepse janë disa, janë verifikuar edhe më imtësisht nga Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Investitorët janë në të drejtën e tyre, bllokimi i transaksionit nga ana e autoriteteve është arbitrar dhe negativ. Bllokimi i kalimit të parave te pronari për të cilin ka dyshime është një çështje e drejtë e organit hetimor.
Madje, unë e konsideroj pozitive edhe këtë, sepse në këtë mënyrë investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm, ndërsa në rast se hetimi nxjerr në pah një origjinë tjetër të pronës, ata që e pretendojnë atë fare mirë mund t’i marrin këto para. Kështu, të gjitha palët janë të lumtura, përveç palës që ka mashtruar, nëse vërtet ka mashtruar po këtë e tregon hetimi.
Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do jem këtu, ndërkohë jam i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime por duhet të sqarojmë për çfarë janë pretendimet.