Rama flet për protestën në 35-vjetorin e PS në Tiranë: S’ka negociata, por bujrum ejani shihni provat. U kanë shaluar një rrenë shumë të fortë, ju e keni marrë për kalë beteje
Publikuar më 12.06.2026 nga shekulli_admin
Partia Socialiste e Shqipërisë feston sot 35-vjetorin e saj që nga themelimi në vitin 1991. Pas festimeve në disa prej rretheve kryesore, festimet kulmojnë sot në sheshin përpara stadiumit “Arena Kombëtare”.
“Të dashur themelues, përfaqësues të familjes sonë të madhe politike, të PS. Qëlloi që pikërisht në muajin e kremtimit të 35-vjetorit të lindjes së kësaj familjeje për Shqipërinë një masë e madhe njerëzish të dilte vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësues e saj të merrte në zotërim çdo mbrëmjeje bulevardin e Tiranës. Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi të madh që do ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomikë dhe socialë të Shqipërisë, duke futur të paktën 4 mld euro në një ekonomi me një volum të përgjithshëm prej 27 mld eurosh, vetëm ky investim është më shumë se 1 nga 7 e prodhimit të përgjithshëm të vendit tonë.
Edhe unë po të isha një qytetar, të informohesha nga rrjetet sociale, duke parë gjysmë të vërtetat të fryra dhe lloj-lloj videosh dhe fotosh të sajuara për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ngordhur, flamingo në arrati, gradaçela mbi lagunë dhe Sazan, tabela “Kufiri i Izraelit”, do kisha dalë në bulevard i llahtarizuar nga ai apokalips. Befas krejt bota u zgjua si në një ankth dhe u bashkua për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatërrues për jetën e gjelbër”, u shpreh Rama.
Gjatë fjalës së tij në 35 vjetorin e PS, Edi Rama shprehu vlerësim për Fatos Nano dhe për veteranët e Partia Socialiste e Shqipërisë, duke theksuar se, pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe periudhave të vështira, ai ruan respekt për kontributin e tyre.
Ai pranon se ka bërë gabime gjatë karrierës së tij politike, por thekson se ka dhënë maksimumin për Partinë Socialiste dhe se ndihet krenar që, sipas tij, ka kontribuar në rritjen e dinjitetit dhe prestigjit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Edi Rama:
Dua të veçoj Fatos Nanon, si pasardhës i tij. Pavarësisht se në vitet e fundit të jetës, edhe pasi marrëdhënia jonë kaloi në fazat dramatike, mbetet për mua në një vlerësim të veçantë. Sikundër nuk mund të harroj veteranët e luftës, që më vunë krahë të fortë dhe pse më pritën me këmbët e para.
Nuk pretendoj se kam bërë gjithçka mirë, se kam qenë i pagabueshëm, apo se nuk i kam hyrë në hak askujt.
Kam gabuar jo njëherë, dhe edhe pse s’kam dashur t’i hyj në hak askujt, ka shumë të ngjarë që mund ta kem bërë gabim.
Por krenohem se i kam dhënë dhe do t’i jap PS-së gjithçka që kërkohet nga një lider dhe se ia kemi ngritur kokën Shqipërisë dhe çdo shqiptari.
Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me një mesazh dhe me një thirrje protestuesve kundër projektit të Zvërnecit dhe Sazanit.
Ai deklaroi se do të ishte po aq i revoltuar sa ata nëse pretendimet që qarkullojnë do të ishin të vërteta, por këmbënguli se faktet tregojnë një realitet tjetër.
Edi Rama:
Mbaj përgjegjësi për çdo fakt që them. Po të ishin të vërteta ato që ju kanë mbushur në mendje, do isha dhe unë po aq i neveritur sa më duket se janë disa prej jush. E vërteta është se po hetojmë këto vite një nga zhvillimet e rrjeteve sociale, kur vende të tjera kanë rënë në kurth nga metoda të provuara dhe të demaskuara manipulimi.
Kush është i interesuar për të mbrojtur interesin publik, për mjedisin, të ardhmen e shpendëve në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit, i them se faktet që kemi në dispozicion duhet të jenë më se të mjaftueshme për të qetësuar shpirtin e kujtdo. Ndaj bujrum, ejani t’i shikoni dhe dëgjoni faktet, të merrni provat dhe të ndiheni krenarë që institucionet tona e kanë përfaqësuar, qoftë me Sazanin apo me procesin e aplikimeve për zhvillimin e Zvërnecit.
Ejani të shikoni që s’ka asnjë status për investitor strategjik.
U kanë shaluar me një rrenë shumë të fortë që ju e keni marrë për kalë beteje dhe ndaj nuk bëni dot betejë me atë kalë.
Unë nuk kam asnjë negociatë për të bërë me ju sepse nuk negocioj as programin, as vizionin, as kontratën e atyre që më kanë votuar që ta çojmë Shqipërinë në BE.
Unë jam i hapur për çdo diskutim mbi zhvillimin e turizmit. Sa për fatin e Zvërnecit, do ta vendosë vetëm cilësia e projektit dhe shkalla e ambicies së programit që investitorët do paraqesin.
Ikini hijenave që u janë mbledhur rrotull, se jeni të parët që do mbyteni në jargët e asaj urie për pushtet që unë dhe socialistët e njohim nga shumë larg, të cilën e fshehin në qeleshen që e vënë në kokë për herë të parë.
Nëse doni të mbrojnë vërtet Shqipërinë, ju që jeni sinqerisht të shqetësuar, mos ngatërroni rreziqet nga i vjetri i natyrës, por ejani dhe bashkohuni me PS-në, e cila ka nevojë ka shumë nevojë për çdo që nuk bie dakord me çfarë nuk shkon, sepse është gati t’i luftojë bashkë me ne për t’i bërë më mirë.
Me ide, jo me britma, me propozime dhe të qëndruarat aty në punë, jo me selfie dhe skërmitje. Me Shqipërinë në zemër dhe mendjen te puna, jo me smirë në gojë dhe vetëm hesape në mendje.
Në fjalën e tij kryeministri Rama u shpreh se në protestën në kryeqytet ka pasur edhe persona nga Kosova apo Tetova, që sipas tij njësoj si opozita kanë hedhur gurë në bulevard dhe kanë fshehur dorën.
“Asgjë normale edhe në faktin se, megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe hallin e kanë se po nuk dëmtohet sezoni nga anulimet e rezervimeve për protestës, forca të ndryshme hidhen në bulevard, gurë deri edhe nga Kosova dhe Tetova dhe fshehin dorën, njësoj si nga opozita që derdh në bulevard prurjet e kënetës së vet dhe tabakatë që mbledhin likes dhe qajnë hallin e popullit, edhe partitë e reja që mbeten të vogla por u bënë të vjetra kërkojnë edhe ato një copë aty.
Me këta nuk kemi asnjë punë. Për të rinjtë që mendojnë se po bëjnë revolucion kam simpati dhe mund të flas nëse ata duan të flasin. Fundja një gjë të jashtëzakonshme e kanë bërë vërtet për Tiranën: kanë pastruar zhulin e shoqatës së motovarëve që e kishin kthyer bulevardin në një vend ndyrësie, të mbetur vetëm erë”, u shpreh Rama.
Rama, në fjalën e mbajtur gjatë festimeve të 35-vjetorit të Partisë Socialiste në sheshin përpara Stadiumit Kombëtar, foli për sfidat e zhvillimit të vendit, investimet strategjike, mbrojtjen e mjedisit dhe vizionin e Shqipërisë për të ardhmen.
Ai theksoi nevojën për debat demokratik, por kundërshtoi atë që e cilësoi si paragjykim ndaj projekteve të mëdha zhvillimore, teksa këmbënguli se Shqipëria është futur në mes të një lufte kundër presidentit Trump.
“Në fund, më lini të kthehemi te ne. Jemi në një moment kur ajo që po ndodh me shumëkënd që nuk del në protestë apo që nuk e mbështet atë protestë për ndonjë parti të vjetër, të re apo edhe në bark të bulevardit, fatkeqësisht po krijon një lloj sakëlldie ndaj nesh. Kjo duhet të na shqetësojë ne, prandaj zgjedhjet e radhës në parti duhet t’i ushqejmë me një proces të ndershëm për ata njerëz që kanë nevojë të shohin një perspektivë të qartë, të cilën e ka vetëm Partia Socialiste.
Të gjithë duhet të kuptojnë se kjo që po ndodh nuk është vetëm ajo që duket, por është shumë më delikate dhe më e rëndësishme për të ardhmen sesa një investim në Zvërnec. Pa llogaritur ulërimat dhe zhurmat e një kategorie njerëzish që kujtojnë se u bë deti kos. Një grup karnavalesh, të dëgjuar për shumë arsye, kanë dalë si kërpudhat pas shiut për të ngushëlluar paaftësinë e tyre dhe pamundësinë për të dhënë shumë më tepër.
Kjo është shumë më e ndërlikuar se kaq. Ky është investimi më i madh që i ka ardhur Shqipërisë në historinë e saj dhe ky vend nuk e ka luksin, kurrsesi, ta refuzojë. Natyrisht që për këtë investim ka vend për debat dhe vigjilencë; kjo është e drejtë dhe demokratike. Por ajo që nuk është e drejtë dhe nuk është e tolerueshme është që sa herë guxojmë të kemi një ambicie të madhe, ajo shpallet krim para se të projektohet, sapo thuhet, sapo artikulohet.
Çdo përpjekje për zhvillim bëhet armike e natyrës. Natyra nuk mbrohet duke mbajtur një vend të varfër. Na thonë të mbrojmë Vjosën se është i vetmi lum i egër, ndërkohë që ata i kanë zbutur të gjithë lumenjtë e tyre. Sfida jonë është të respektojmë dhe të mbrojmë natyrën duke u zhvilluar. Ne nuk jemi budallai i lagjes. Shqipëria i ka të gjitha ato që i duhen dhe ajo që duhet shtuar është guximi për të ëndërruar më fort dhe kuraja për të përballuar investime të tilla të mëdha.
Një përplasje mes të mëdhenjve nuk është puna jonë. Nëse bota do të ishte kaq e ndjeshme, do të kishte thënë diçka për Rrjollin. Këtu fjala nuk është për flamingot, Zvërnecin apo ndonjë gjë tjetër, por për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata nuk mund t’i përdorin shqiptarët si ‘mish për top’.
Ne na duhet sa më shumë turizëm elitar, sepse çdo lek që vjen është dyfishi i asaj që futet në ekonominë e komunitetit dhe të vendit. Këta turistë vijnë me shumë para, pak trafik dhe pak plehra. Shqipëria nuk mund të mbetet vetëm me turizmin masiv, nuk mund të mbetet pas Greqisë dhe Malit të Zi. Shqipëria është e thirrur vetëm që të hapë portën.
Ky vend ka disa bekime, që ua detyron të parëve tanë; i detyrohet besës dhe mikpritjes. Gjyshërit tanë nuk i dorëzuan hebrenjtë dhe historia e shqiptarëve është ajo e njerëzve që, përtej feve, kanë zotëruar respektin për tjetrin dhe për mikun”, u shpreh Rama.