Rama takon operatorët turistikë në prag të sezonit turistik: Vlora u transformua brenda një dekade, ju i keni bërë gropën vetes nëse… (VIDEO)
Publikuar më 13.04.2026 nga shekulli_admin
Kryeministri i vendit, Edi Rama në Vlorë ka zhvilluar një bashkëbisedim me operatorët turistikë mbi sezonin turistik.
Në fokus të diskutimit ishte rritja e cilësisë së shërbimeve, mbështetjen për sipërmarrësit e turizmit dhe promovimin e Vlorës, e cila mbete si një portë e rëndësishme e turizmit shqiptar në qendër të vëmendjes globale.
Kryeministri Rama u shpreh se Vlora është transformuar brenda një dekade. Ai përmendi disa shifra, që sipas Ramës, dëshmojnë rritjen e numri të turistëve që vijnë nga shumë vende të Evropës dhe SHBA,
“Ajo që sot është Lungomarja, më parë ishte një rrugë me dy krosi. Deti shikohej copa copa se ishte i mbushur me ndërtime. Kishte gropa. Kjo ishte Vlora para një dekada, Për tu bërë Lungomarja u deshën vite e mandatit të parë. Sot po ju them çfarë shifrash ka marsi tani, në çdo emër të vendeve prej nga vijnë turistët.
Në mars, krahasuar me marsin e kaluar vizitorët nga Italia janë rritur me 10.9%.
Vizitorët nga SHBA janë rritur me 45%, nga Gjermania me 23%. Nga Mbretëria e Bashkuar me 22%, vizitorët nga Spanja me 34%, Austria ME 20%, nga Norvegjia me 105 %, nga Belgjika me 4%, nga Danimarka me 711 %, në krahasim me marsin e kaluar. Këto janë të dhënat nga kufiri. Unë këtu flas për shifrat e gjithë Shqipërisë.”, theksoi ai.
Rama prezantoi projektet e qeverisë për bregdetin e jugut dhe veçanërisht qarkun e Vlorës, ai tha se në Pashaliman do ndërtoheshin anije ushtarake jo vetëm për nevojat e Shqipërisë, por edhe për vende të tjera, bashkë me Italinë.
Gjatë bashkëbisedimit mbi sezonin turistik, rritjen e cilësisë së shërbimeve, mbështetjen për sipërmarrësit e turizmit dhe promovimin e Vlorës si një portë e rëndësishme e turizmit shqiptar në qendër të vëmendjes globale, investimet që do bëheshin dhe problematikat që hasen aktualisht, ai tha se Shqipëria është një vend i sigurt.
“Disa miq nga Londra nuk e mendonin kurrë që të vijë në Shqipëri dhe të dilje në një të natës me fal po në Londër nuk del dot natën, janë fjalët e tyre e jo të miat”, tha kryeministri.
Më tej ai dha edhe lajmin se porti i Pashalimanit do të kthehet në një industri ushtarake prodhuese për anije ushtarake.
“Në Pashaliman do fillojmë ndërtimin e anijeve ushtarake do të jetë një projekt të rëndësishëm me Italinë dhe do bëhemi eksportues të rëndësishëm të anijeve ushtarake përveçse do plotësojmë edhe nevojat tona. Kjo do sjelli zhvillim punësim dhe mirëqenie”, tha Rama mes të tjerash.
Kryeministri Edi Rama, nga Vlora, në një takim me operatorët turistikë, iu kërkoi atyre që të veprojnë me strategji, duke mos e pasur synimin vetëm te fitimi, por edhe tek tërheqja dhe rikthimi sërish i turistëve në vend.
Kryeministri theksoi se disa vende të tjera, të “dehur” nga fakti se kanë pasur fluks turistësh, kanë vepruar si të tillë, duke i larguar ata. Ata tha se duhet të krijojnë strategji që të garantojnë jetëgjatësi të investimeve që po kryejnë në zonën e Vlorës.
“Si rezultat i fluksit që iu është gjendur përpara kanë pasur mendjen e ngushtë duke menduar se njerëzit, 12 mln e 15 mln do t’i kenë aty. Dhe kanë filluar të investojnë siç po bëni ju, të investojnë për më shumë por duke kërkuar të ftojnë më shumë në atë moment. Iu kanë mbetur në derë investimet se nuk iu kanë ardhur më njerëzit.”, tha Rama.
Sipas tij, këto investime që po bëhen në Vlorë duhet të tërheqin edhe të huaj për të jetuar në këtë qytet, dhe jo vetëm si turistë.
“Vlora ka mundësitë që të bëhet një vend si ato qytetet në Portugali, Spanjë e Turqi ku të vijnë të jetojnë edhe plot të huaj. Është plotësisht e mundur. “, shtoi ai.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Çmimet nuk i vendos qeveria dhe nuk ka asnjë instrument për të kontrolluar dhe imponuar çmimet. Çmimet i vendos tregu. Por në rastin e kësaj industrie, çmimet duhet t’i vendosë vizioni strategjik i juaji për fatin e investimeve tuaja. Nëse po bëni investime vërtet masive e ambicioze, një pjesë e juaja po punojnë me arkitektura, synojnë të bëjnë struktura të nivelit më të lartë e dini më mirë se unë se hoteleria ka investimin të madh dhe kthimin të ngadaltë por të sigurt, duhet të mendon për fatin e këtyre investimeve. Kush vjen për të bërë turizëm e pushime, ka menduar vetë dhe nuk është ky qëllimi ynë.
Qëllimi është të lexojmë çfarë iu ka ndodhur të tjerëve. Në momentin kur befas janë gjendur përpara rezultatit të hapjes dhe transformimit në një destinacion të kërkuar, janë dehur dhe kanë vepruar si të dehur duke ofruar shërbime të dobëta dhe vendosur çmime të larta. Si rezultat i fluksit që iu është gjendur përpara kanë pasur mendjen e ngushtë duke menduar se njerëzit, 12 mln e 15 mln do t’i kenë aty.
Dhe kanë filluar të investojnë siç po bëni ju, të investojnë për më shumë por duke kërkuar të ftojnë më shumë në atë moment. Iu kanë mbetur në derë investimet se nuk iu kanë ardhur më njerëzit. Nëse Vlora do të marrë vlerën e vendit ku ti paguan më shumë sesa të ofrohet dhe kur paguan më shumë sesa çmund të paguash duke shkuar në Greqi, Turqi e Kroaci ju i keni bërë gropën vetes, po flas për gropën e investimeve.