Opozita mbyll protestën e 8-të kombëtare, protestuesit bllokohen para ish-hotel Dajtit, pasi policia i ndaloi të shkonin te Ministria e Brendshme (FOTOT+VIDEO)
Publikuar më 08.05.2026 nga shekulli_admin
Opozita ka përmbyllur protestën e 8 Kombëtare. E programuar si një protestë marshim pa fjalime, demokratët mbetën të bllokuar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, sapo kaluan ish-hotel Dajtin.
Duket se programi i protestuesve synonte të përshkonte rrugëtimin, duke kaluar nga Ministria e Brendshme e më pas drejt godinës së parlamentit.
Por ky plan u bllokua nga Policia e cila vendosi kordonin para ish-Hotel Dajtit dhe duke i sprapsur protestuesit me ujë dhe gazlotjsellës.
Nuk munguan dhe konfrontimet fizike apo hedhjet e molotovëve, por protesta u mbyll pa incidente të rënda.
Kreu i demokratëve, Sali Berisha, i pajisur me maske antigaz dhe mushama, ka qëndruar deri në fund të protestës, ku jo në pak raste ishte në shënjestër të autobotit me ujë.
Pas tentativave të dështuara, Berisha tërhoqi demokratët në selinë blu, ku njoftoi dhe përmbylljen e tubimit dhe paralajmëroi se do të marrin masa në protestën e ardhshme.
Protesta e tetë kombëtare e opozitës pati momente tensioni dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë.
Pamjet tregojnë momentin kur gjatë marshimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për tek Ministria e Brendshme, kordoni i policisë u vendos në rrugë për t’i ndaluar.

Këtu nisi edhe përplasja mes palëve, ku në fillim policia përdori ujhedhës nga autoboti duke lagur protestuesit dhe këta të fundit iu përgjigjën me molotovë.
Në një moment dëgjohet e shihet lënda molotov që plas pas hedhjes nga protestuesit, e në të njëjtën kohë efektivët hedhin ujë.

Mes turmës ka qenë edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, që vendosi kundragaz si një pjesë tjetër e drejtuesve të PD-së dhe protestuesve.

Ata u bënë barrikadë përballë forcave të Policisë, ndërsa nuk mungoi as gazi lotsjellës, që solli shpërndarjen e turmës.
Deputeti i PD-së Gazment Bardhi debatoi me efektivët e policisë gjatë protestës së sotme. Policia kishte bllokuar rrugën në mënyrë që protestuesit të mos vijonin marshimin drejt Minsitrisë së Brendshme.
Pas përplasjeve me molotovë, ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës, Bardhi iu afrua gardhit policor, duke iu kërkuar llogari pse kanë bllokuar rrugën në një protestë paqësore.
Më pas iu tha të shkojnë dhe të arrestojnë ata që kanë vjedhur, Ramën dhe Ballukun.
Bardhi: Edhe bulevardin e ka marrë Belinda dhe Edi Rama.
Po në ç’vend të botës del policia në marshim proteste paqësore?
Në cilin vend të btoës pengohet protesta? Si zbatoni urdhra të paligjshëm ju? Si pengoni një protestë në mënyrë të paligjshme?
Nga kush i merrni urdhrat ju? A ishte protesta paqësore?
Pse provokoni? Pse bllokoni rrugën?
A keni ligj ju apo zbatoni vetëm urdhra të paligjshëm?
Shkoni dhe arrestoni Belinda Ballukun dhe Edi Ramën, ata që kanë vjedhur shqiptarët, jo qytetarët që protestojnë kundër korrupsionit.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga protesta e opozitës pas përplasjes me policinë, të cikët i bllokuan lëvizjen drejt Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka paralajmëruar se ata do të marrin përgjigjen e merituar, pasi sipas tij, kanë bllokuar zhvillimin e një tubimi që ai e cilësoi paqësor.
“Do të marrin përgjigjen e merituar. Ju e patë që ishte një marshim paqësor dhe marshimi ynë paqësor u shkelmua, u shkel Kushtetuta, çdo gjë.
U bllokua rruga dhe këta, në mënyrë absolute, do të marrin përgjigjen e merituar. Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot, sepse ne po bënim marshimin tonë paqësor, në kuptimin më të mirë të fjalës”, tha ai.
Ndër të tjera, Berisha kishte edhe një paralajmërimin për kryeministrin Rama dhe ish-vartësen e tij, Belinda Balluku, për të cilët tha se nuk kanë vend në këtë tokë pa dalë para ligjit.
“Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit”, tha Berisha para gazetarëve.
Sali Berisha: Do të marrin përgjigjen e merituar. Ju e patë që ishte një marshim paqësor dhe marshimi ynë paqësor u shkelmua, u shkel Kushtetuta, çdo gjë. U bllokua rruga dhe këta, në mënyrë absolute, do të marrin përgjigjen e merituar.
Këta kanë kryer një krim të shëmtuar sot, sepse ne po bënim marshimin tonë paqësor, në kuptimin më të mirë të fjalës. Edi Balluku dhe Lubi Rama vend në këtë tokë nuk kanë pa shkuar para ligjit.
Ata bllokuan bulevardin, por ne do të përgatitemi për të gjitha format dhe i garantoj se e kanë të humbur 100%. Mbrojnë dy kriminelë si Edi Rama dhe Lubi Balluku, mbrojnë Linda Ramën dhe Lindën e AKSHI-t. Këta janë hajdutët e këtij kombi.
Dhe këtë e bën një mercenar, që do t’jua tregojmë juve fytyrën e Skënder Ballukut.







