Këshilli Bashkiak i Pogradecit rrit tarifën e parkimit, opozita distancohet: Rëndohen xhepat e qytetarëve
Publikuar më 02.05.2026 nga shekulli_admin
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Pogradecit, të zhvilluar dy ditë më parë, është vendosur rritja e tarifës së parkimit nga 50 lekë në 100 lekë për disa prej zonave të qytetit.
Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak ka miratuar gjithashtu edhe shtimin e zonave ku parkimi do të jetë me pagesë, për llogari të shoqërisë “Pogradeci Invest”, e cila merret me menaxhimin e parkimeve publike në qytet.
Projektvendimi ka kaluar me 18 vota pro nga këshilltarët e majtë, 4 vota kundër dhe 2 abstenime.
Ndërkohë, në seancë ka pasur debate të ndryshme lidhur me këtë projektvendim të sjellë nga administrata e bashkisë. Disa këshilltarë e kanë kundërshtuar gjatë mbledhjes, ndërsa subjekte të ndryshme politike, si Partia e Lirisë, kanë dalë në deklaratë publike, duke nënkuptuar distancim nga kjo vendimmarrje, e cila, sipas tyre, rëndon në xhepat e qytetarëve.
Ky është një nga projektvendimet që, brenda një kohe të shkurtër, parashikon rritjen me 50% të tarifave të parkimeve publike në qytetin e Pogradecit. Pra, qytetarët dhe pushuesit që më herët paguanin 50 lekë për orë, tashmë do të detyrohen të paguajnë 100 lekë për orë.
Partia e Lirisë bëri edhe një deklaratë nëpërmjet Sekretarit Politik në Qarkun e Korçës, Gentian Çala:
“Partia e Lirisë, Dega Pogradec, distancohet nga qëndrimi i këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak të Pogradecit, të cilët kanë votuar sot për rritjen e çmimeve, më saktë dyfishimin e tyre dhe zgjerimin e vendparkimeve me pagesë ne qytet.
Ky qëndrim, kjo vendimmarrje, dëshmon edhe një herë se Bashkia Pogradec nuk ka aspak në fokus interesin e qytetarëve, por u shërben interesave klienteliste të të gjithë atyre që përfitojnë prej tyre.
Mjafton të shikoni situatën e rrugëve brenda qytetit, të trafikut të rënduar dhe të mungesës së parkimeve për të kuptuar se e gjithë sipërmarrja nuk ka aspak për qëllim
lehtësimin e jetesës së qytetarëve, por thjesht futjen e dorës në xhepat e tyre, sa me taksa dhe tarifa të fryra, po aq edhe me gjoba.
Përshëndesim qëndrimin e këshilltareve opozitarë, të
cilët megjithëse nuk i kanë votat për ta ndalur këtë turravrap interesash, kanë të gjithë kurajon ta kundërshtojnë atë, kurse ju, të dashur qytetarë, keni mundësi ti thoni jo kësaj përmes votës suaj në zgjedhjet e ardhshme vendore!”.