Berisha akuzon ish-deputetin se e tradhëtoi partinë dhe e shiti veten në burg, përgjigjet Salianji: “Sali “kolltuku”, ti sa herë flet, legenosesh
Publikuar më 02.05.2026 nga shekulli_admin
Sali Berisha ka folur sot në lidhje me zgjedhjet për kreun e PD, ku pas përjashtimeve të kandidaturave, është i vetmi në këtë garë brenda partisë.
Ai tha se nuk mund të garojnë për kryetar partie ata që e kanë tradhtuar partinë dhe kanë bashkëpunuar me kundërshtarët politik.
“PD ka garën më demokratike dhe të ndershme. Kryetarët e partive në familjet tona simotra, vetëm një pjesë e vogël zgjidhen nga anëtarësia, të tjerët i zgjedh Kryesia.
Të siguroj se kjo parti pranon dhe do pranojë çdo demokrat që plotëson kriteret për të marrë pjesë në këtë garë. Besoj se kjo është gara më e rëndësishme e partisë dhe duhet të përfaqësojë anëtarësinë e partisë.
Në garë të marrin pjesë kandidatë të Ramës? Apo kandidatë që në fushatë elektorale punuan haptas kundër PD? Apo kandidatë që në fushatë kaluan në parti tjetër? Këta në çdo parti politike në botë, këta përjashtohen për tradhtinë që kanë bërë ndaj partisë së tyre në moment beteje.
Është jashtë çdo logjike që këta të mund të imagjinohet se do mund të kandidojnë, jo. Për të kandiduar për kryetar partie duhet të plotësosh në bazë të kritereve”, tha Berisha.
Për Ervin Salianjin ai tha se është “shitur në burg” dhe se sipas tij ka kaluar “në krahun tjetër”.
“PD është e hapur, s’mund ta marrë kush. U përpoqën. Këtë parti Rama s’mund ta marrë kurrë me kandidatura të shitura. Se Salianji, u shpall i burgosur politik se ashtu ishte, por në burg e shiti veten”, tha ai.
Reagimi i Salianjit
Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji i është përgjigjur ashpër sulmeve të Sali Berishës, gjatë bashkëbisedimit që ky i fundit pati me ndjekësit në rrjetet sociale.
Në reagimin e tij, Salianji akuzon Berishën se paguhet nga Belinda Balluku dhe Ergys Agasi. Salianji shton se Berisha dhe njerëzit pranë tij marrin koncesione, leje, kulla, tendera, miniera e HEC-e.
“Sali “kolltuku”, ti sa herë flet, legenosesh; por të jesh kaq i ulët moralisht në moshën 82-vjeçare është gëzimi më i madh për çdo njeri që s’të do mjafton të të shohë si je katandisur dhe e merr “satisfaksionin” e jetës. Tani, meqë legenosesh me burgun, unë nuk ia fal as Ramës dhe as ty 1 vit heqje lirie, as heqjen e mandatit dhe as ndalimin e kandidimit. Njësoj si Rama edhe ti: ai më ndaloi kandidimin për deputet, ti për kryetar. I vetmi njeri që është marrë në patronazh nga Rama je ti. Të ka parkuar në azil luksi e të jep ushqimin qe do ti, paratë! Je me halle me drejtësinë dhe të mbajnë peng, prandaj nuk lejon garë. Nuk ke bërë asnjë ditë burg, ndërkohë që i vetmi deputet dhe zyrtar i PD që ka bërë burg pa pasur asnjë ditë pushtet jam unë, me dakordësinë e regjimit Rama–Berisha”, shprehet Salianji.
Reagimi i plotë
Sali “kolltuku”, plaku i lumtur në azilin e Ramës! Unë bëj burg, ti Sali bën lek nga regjimi i Ramës!
Ty Sali, të nxjerr Rama nga burgu se i duhesh, mua më fut në burg Rama se e mund, por për mjeranin e azilit të Ramës që je kthyer ti, unë që bëj burg “shitem”.
Me Ballukun ti Sali merr leje, licenca e tendera, por unë zhurmoj. O zoti fosile, Ballukun dhe Agasin nuk i bashkoi dot Rama, jo unë. I vetmi që i ke bashkuar në një formë je ti, se paguheshe nga të dy edhe nga Agasi, edhe nga Balluku. Prandaj nuk i nxjerr dot dosjet e të dyve. Publikoji të plota, frikacak.
Ti Sali për lek shet edhe shpirtin. Nuk të mjaftojnë koncesionet, lejet, kullat, tenderat, minierat, hidrocentralet, parqet, bregdeti dhe malet që po i shqyen bashkë me Ramën; dhe për të përfituar këto, nuk ke asnjë merak të legenosesh!
Sali “kolltuku”, ti sa herë flet, legenosesh; por të jesh kaq i ulët moralisht në moshën 82-vjeçare është gëzimi më i madh për çdo njeri që s’të do mjafton të të shohë si je katandisur dhe e merr “satisfaksionin” e jetës.
Tani, meqë legenosesh me burgun, unë nuk ia fal as Ramës dhe as ty 1 vit heqje lirie, as heqjen e mandatit dhe as ndalimin e kandidimit. Njësoj si Rama edhe ti: ai më ndaloi kandidimin për deputet, ti për kryetar.
I vetmi njeri që është marrë në patronazh nga Rama je ti. Të ka parkuar në azil luksi e të jep ushqimin qe do ti, paratë! Je me halle me drejtësinë dhe të mbajnë peng, prandaj nuk lejon garë. Nuk ke bërë asnjë ditë burg, ndërkohë që i vetmi deputet dhe zyrtar i PD që ka bërë burg pa pasur asnjë ditë pushtet jam unë, me dakordësinë e regjimit Rama–Berisha.
Por ti njihesh si mosmirënjohës, që e ha fjalën dhe gjithçka që ke bërë vetë ia ngjit kundërshtarit.
Të mban Rama në azil luksi, duke të dhënë garanci që ti nuk prekesh nga ligji; prandaj nuk lejon garë. Por do çmontohesh Sali, do çmontohesh si kambalec i Edi Ramës, do çmontohesh si segmenti i keqpërdorur dhe i blerë nga Edi Rama. Do ju çmontojmë të dyve, e ke marrë rrugën!