Kryeministri Rama flet për Paketën e Maleve: U krijua nga problemet që dolën nga ligji 7501, nuk u shërben investitorëve të mëdhenj
Publikuar më 20.04.2026 nga shekulli_admin
Kryeministri Edi Rama në takimin me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë foli për programin e qeverisë “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”, e cila do t’u vijë në ndihmë bizneseve që duan të zgjerohen.
Ai u shpreh se do të jepen kredi me interes të ulët dhe do të ketë një limit prej 2 milionë eurosh, teksa u ndal edhe tek detajet e projektit.
“Ky takim synon të ndihmojë të gjithë ata që janë të interesuar dhe që na ndjekin përmes ekranit, për tu informuar me mundësitë e reja që kemi dhe që janë ose do të vihen në dispozicion të atyre që duan të jenë protagonistë në këtë fushë. Dua të nis tek programi i ri që po përgatisim, do ta prezantojmë shumë shpejt, në fund të muajit besoj do të kemi marrëveshje mes Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë, për një linjë financimi për të mbështetur çdo projekt të kujtdo që ka një ndërmarrje të vogël ose të mesme, që do të zgjerojë ndërmarrjen.
Do të ketë interes të kredisë më të ulët se kreditë komerciale, dhe do të ketë një limit deri në 2 mln euro. Nuk do të aksesohet nga kompanitë e mëdha, por nga start up-er dhe ndërmarrjet e vogla ose të mesme, punishtet dhe patjetër nga agroturistët që duan të rriten. Kur flasim për rritje të agroturizmit nuk flas vetëm për masën e rritjes së volumit të ndërtimit, por është edhe zgjerimi i kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese jashtë kufijve të vet.
Një agroturizëm mund të ketë një vresht diku, një baxho, punishte reçeli, jo domosdoshmërish në atë territor, dhe nëse e ka një të tillë dhe d ta ketë një të tillë kjo është plotësisht e mjaftueshme për t’iu qasur programit. Programi besoj se vjen në një kohë të duhur, kam pasur komunikime me themelues të ndërmarrjeve të vogla që prodhojnë, flasim për agropërpunum, prodhim dhe eksport”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në takimin me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, ka folur edhe për Paketën e Maleve. Ai u shpreh se Paketa e Maleve lindi për t’i dhënë fund problemeve nga ligji 7501, dhe për t’i dhënë mundësi qytetarëve të investojnë.
“Industria turistike ka ndryshuar nga futja e agroturizmit. Gjithsecili mund të dojë të ketë një rrjet agroturizmi, për këtë shërben Paketa e Maleve. Ndryshe nga çfarë është deformuar, nuk është një paketë për kompanitë e mëdha, për investitorët e mëdhenj dhe aq më pak është një paketë për të dhënë territore, troje publike për zhvillime private. Nuk është fare ky qëllimi, nuk është ky objekti. Paketa e Maleve ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi shumë të madh që ka origjinë shumë larg në kohë, te ligji 7501 në zona të caktuara të vendit që nuk e kanë njohur 7501 si instrument të vlefshëm për tokën e tyre, që nuk kanë marrë asnjë lloj certifikate dhe që e kanë rindarë tokën menjëherë pas ndryshimit të regjimit mbi bazën e kufijve të vjetër.

Pra, problem i trashëguar është që këta njerëz e kanë të pamundur të kenë akses në financa dhe të ndërtojnë në mënyrë të ligjshme, ne bëmë një projekt për të adresuar këtë problem me ligjin e ri 20/20, për të cilin u desh shumë kohë, sepse po more një risk ke marrë një mend, të dytin dy mendje dhe të tretin tre mendje. U desh shumë kohë që të formulohej dhe nuk na e dha atë efektin që duhej, sepse prezumon dakordësinë dhe prej kësaj lindi Paketa e Maleve. Shumë shqiptarë që janë në emigracion apo qytet kanë toka dhe shtëpi të vjetra të cilat duan t’i zhvillojnë, por nuk kanë mundësi, po patën para nuk marrin dot leje. Me Paketën e Maleve kjo bëhet e mundur duke aplikuar drejtpërdrejt, duke shprehur interesin pranë bashkisë, duke thënë kjo tokë këtu është e imja. Bashkia pastaj afishon një listë për 45 ditë dhe e bën publike, dhe cilido që pretendon të kundërtën, pra për ata që e kanë tokën e të parëve dhe nuk kanë konflikte.

Në 45 ditë duhet të vijë një kundërshti e argumentuar, nëse jo lista kalon në Këshillin Bashkiak, ai e miraton dhe personi e çon aplikimin, pra vetëm për leje, jo ta shesësh apo me qira. Shkon në instancën përkatëse, aplikon me projektin që do të ndërtosh. Miratohet projekti dhe ti ndërton. Vetëm pasi ti ke përfunduar ndërtimin ti merr titullin e pronësisë mbi atë ndërtim. Duhet ta mbaron, nuk mund ta marrësh peng tokën. Nuk ka titull pronësie pa investuar në atë tokë. Ligji thotë që në çdo rast se në një kohë shfaqet dikush tjetër që është pronari, pastaj i takon shtetit që ta kompensojë personin. Kjo është trajektorja që ndjek kjo paketë dhe është shumë pro biznes. Shumë e favorshme”, u shpreh kryeministri Rama.
