Irani hap Ngushticën e Hormuzit për anijet tregtare, Trump: Bllokada ndaj Teheranit mbetet në fuqi derisa të finalizohet marrëveshja
Publikuar më 17.04.2026 nga shekulli_admin
Irani ka njoftuar se do të lejojë kalimin e lirë të të gjitha anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit për aq kohë sa do të zgjasë armëpushimi në Liban, i cili u vendos të jetë për 10 ditë.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili theksoi se vendimi lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e marrëveshjes për ndalimin e luftimeve në territorin libanez.
Sipas tij, kalimi në këtë korridor detar me rëndësi jetike për tregtinë globale do të zhvillohet pa ndërprerje, ndërsa anijet do të ndjekin një itinerar të koordinuar, të përcaktuar nga autoritetet iraniane të porteve dhe transportit detar.
“Brenda kuadrit të armëpushimit në Liban, kalimi i të gjitha anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i lirë për pjesën e mbetur të kohëzgjatjes së armëpushimit, duke ndjekur rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata e Porteve dhe Transportit Detar e Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në deklaratën e Araghchi-t.
Ndërkohë, zhvillimi vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane, me synim ndalimin e eksporteve të naftës nga Teherani.
Sipas kompanisë së monitorimit detar Kpler, tre cisterna iraniane, “Deep Sea”, “Sonia I” dhe “Diona”, janë anijet e para të ngarkuara që kanë lënë Gjirin Persik përmes Ngushticës së Hormuzit që nga hyrja në fuqi e bllokadës.
Mësohet se këto anije transportonin rreth pesë milionë fuçi naftë bruto dhe kishin marrë ngarkesën në ishullin Kharg në fillim të këtij muaji.
Të dhënat tregojnë se që prej 10 prillit, kur u largua cisterna “Starla”, asnjë tjetër nuk kishte kaluar përmes kësaj rruge strategjike, deri në zhvillimet më të fundit.
Presidenti amerikan Donald Trump, ka reaguar për situatën në Ngushticën e Hormuzit përmes një postimi në Truth Social, duke theksuar se kalimi detar është tashmë “plotësisht i hapur dhe gati për aktivitet”.
Megjithatë, ai ka sqaruar se kjo nuk do të thotë lehtësim i presionit ndaj Teheranit. Sipas tij, bllokada detare do të vijojë të mbetet në fuqi ekskluzivisht për Iranin, deri në finalizimin e plotë të marrëveshjes mes dy vendeve.
“Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për biznes, por bllokada detare do të mbetet plotësisht në fuqi dhe në zbatim sa i përket vetëm Iranit, deri në momentin që marrëveshja jonë me Iranin të jetë 100% e përfunduar. Ky proces pritet të ecë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara. Faleminderit për vëmendjen tuaj! President Donald J. Trump.”, shkruante ai në Truth Social.
Ndërkohë, çmimi i naftës shënoi një rënie prej 10% pas njoftimit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Gardat Revolucionare të Iranit (IRGC) deklarojnë se janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur asaj që e cilësojnë si agresion izraelito-amerikan, ndërsa një zyrtar pakistanez pretendon se një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit është shumë pranë. Sipas tij, të dyja palët pritet të nënshkruajnë fillimisht një memorandum mirëkuptimi dhe më pas një marrëveshje brenda 60 ditëve të ardhshme.
Optimist është shfaqur edhe Donald Trump, i cili deklaroi se bisedimet mund të rifillojnë gjatë fundjavës dhe se “jemi afër fundit”.
Sa i përket negociatave SHBA–Iran, një burim pakistanez i përfshirë në ndërmjetësimin mes dy vendeve i tha Reuters se është shënuar progres në diplomacinë prapaskenë dhe se një takim i ardhshëm mes palëve mund të çojë në nënshkrimin e një marrëveshjeje.
Sipas agjencisë, palët do të nënshkruajnë fillimisht një memorandum mirëkuptimi, i cili do të pasohet nga një marrëveshje e plotë brenda 60 ditëve.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan në mënyrë indirekte lavdëron veten për punën e tij qeveritare, duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë aktualisht “vendi më i nxehtë në botë” në kontrast me periudhën e administratës Biden ku “të gjithë qeshnin me të”.
“Shtetet e Bashkuara janë aktualisht vendi “më i nxehtë” në botë. Vetëm pak kohë më parë, nën udhëheqjen e “Sleepy Joe” Biden, (i përgjumur) ishte i vdekur dhe e gjithë bota qeshte me të!!! Por jo më – Askush nuk qesh më!!!” shkroi presidenti amerikan.
Postimi vjen në një kohë kur po negocion përfundimin e luftës me Iranin, armëpushimin midis Izraelit dhe Libanit, ndërsa ka filluar edhe përgatitjet për zgjedhjet e mesit të mandatit.

