Në një vendim historik, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e ka shpallur sot të paligjshëm arrestimin e ish-drejtorit të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Thoma Gëllçi.
Ky vendim jo vetëm që thekson shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, por gjithashtu pasqyron një tablo të zymtë të një sistemi gjyqësor që përballet me frikën, paaftësine ose, më keq akoma, një përzierje e rrezikshme të të dyjave.
Çështja Gëllçi nuk duhej të ekzistonte kurrë
Kalvari i Thoma Gëllçit nisi në tetor 2021, kur ai u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me një tender për pajisje teknike e famshmja RTSH AGRO.
Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke ndjekur kërkesën e prokurorisë, urdhëroi paraburgimin e tij. Justifikimi? Dyshimi se Gëllçi mund të manipulonte provat dhe të ushtronte presion mbi dëshmitarët.
Vendimi u përforcua nga pretendimet për rrezikun e largimit, pretendime që u shembën kur u shqyrtuan me standardet e drejtesise evropiane.
Strasburgu konstatoi se gjykatat shqiptare nuk ofruan prova konkrete për të mbështetur paraburgimin.
Argumentet e prokurorisë mbetën të përgjithshme dhe pa mbështetje në fakte. Kjo është shkelje e rëndë e nenit te Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për liri dhe siguri.
Turpi ka emra.
Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e Gëllçit. Ajo ka të bëjë me emrat pas këtij abuzimi të perseritur me dhe në emër të drejtësisë.
Prokurorja ndërtoi një çështje mbi rërë, e mbështetur nga drejtuesi i SPAK i kohës. Një hetim absurd i stërzgjatur dhe qesharak.
Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë,
gjyqtarët e Apelit vetëm sa vulosën vendimin dhe, SIDOMOS
gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe
Gjykatës Kushtetuese, para ligjit zgjodhën inercinë dhe shprehjen anadollake: “e ç’më duhet mua”. Këta noterë prokurorësh duhet të ndihen sot në faj.
Të gjithë i kishin sytë në ballë dhe mendt në kokë. Të gjithë patën mundësinë të tregonin integritet dhe profesionalizëm. Të gjithë dështuan. Me turp!
Avokatura e Shtetit, nën varësinë direkte të Zyrës së Kryeministrit, mbrojti deri në fund një kauzë të pambrojtshme. Ata qëndruan pas “argumenteve” të prokurores, një lëvizje që tani del në pah si paaftësi e pastër ose porosi politike e rrezikshme. Edhe ata i kanë bërë vend vetes ne listën e turpit!
Teatri i drejtësisë:
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një trupë teatrore, duke vënë në skenë spektaklin e arrestimeve në vend që të ndjekë rigorozitetin e çeshtjeve. “Cirku” i bastisjeve të transmetuara në media dhe paraburgimeve të bujshme mund të ushqejë ciklin e përditshëm të lajmeve dhe të kënaqë (deri dje) nevojën e qeverisë për optikë revolucionare, por këtë e ka bërë në kurriz të standardeve evropiane të drejtësisë.
Ironia është e plote. E njëjta qeveri që luftoi fort kundër Gëllçit deri në Strasburg, tani gjendet e përfshirë në rrjetën që vetë e thuri. Dje mburrej me rastin Gëllçi: “nuk dimë gjë, është punë e drejtësisë, t’a lëmë drejtësinë të bëje punën”. Sot vendimi i Strasburgut i shkon për shtat.
Strasburgu i akordoi Gëllçit shperblim për dëmin jopasuror dhe 5,000 euro për shpenzimet ligjore. Ndërsa dëmshpërblimi financiar mund të duket simbolik, fitorja morale është e madhe.
Megjithatë, beteja vijon. Vëmendja tani zhvendoset te gjykatat, ku ekipi ligjor i Gëllçit do të kërkojë rikthimin e drejtësisë, të shtrembëruar dhe deformuar nga zelli i SPAK dhe gjykatësve të trembur.
Vendimi i Strasburgut krijon një precedent qe mund të bëhet një ferrë në këmbën e një administrate gjithnjë e më shumë në konflikt me krijesën e vet.
Ky vendim është një pasqyrë që reflekton gjendjen e sistemit. Është një sistem ku akuzat, jo provat, diktojnë paraburgimin. Ku mentaliteti i “futjes në burg fillimisht, dhe me pas hetimit”, të rikujton drejtësinë sovjetike të para vitit 1956. Në këtë cirk, një dorë kanë edhe mediat që, si manare të bindur, amplifikojnë narrativën e prokurorisë pa bërë pyetjet më të thjeshta: Çfarë ligji është shkelur? Çfarë dëmi është bërë? Kush ka përfituar?
Reforma e vërtetë nuk është të krijosh institucione të reja, as të organizosh spektakle të arrestimeve. Reforma e vërtetë eshtë të ndërtosh një gjyqësor që kupton provat, respekton procedurën dhe ofron drejtësi, qetësisht, ndershmërisht dhe pa zhurmë.
Sot, turpi ka emra.
Nesër, le të shpresojmë që reforma do të ketë fytyra, fytyrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë frikë nga drejtësia.