U vetëvra në lumin Buna bashkë me tre fëmijët, prokuroria mbyll hetimet, kërkon 6 vite burg për bashkëshortin e Alma Arrazit
Publikuar më 03.02.2025 nga shekulli_admin
Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet lidhur me mbytjen në lumin Buna të Alma Arrazit dhe 3 fëmijëve të saj të mitur. Organi i akuzës ka hedhur poshtë përfshirjen e një personi të tretë në ngjarjen e rëndë që tronditi vendin në maj të vitit 2024.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar se autor për vrasjen e tre fëmijëve është nëna e tyre, Alma Arrazi, e cila vendosi t’i japë fund jetës bashkë me dy vajzat e moshës 9 dhe 8-vjeç, si edhe djalin 3-vjeçar, mbrëmjen e 2 Majit duke u hedhur në lumin Bunë.
Organi i akuzës ndërkohë ka kërkuar dënimin me 6 vite burg për bashkëshortin e viktimës, shtetasin Erdgys Arrazi për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes së Alma Arrazit.
Nëse dënohet, Erdgys Arrazi do të qëndrojë 4 vite pas hekurave pasi dënim i ulet me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sipas prokurorisë, bashkëshorti i viktimës ka kryer sjellje që diskreditojnë dinjitetin e Alma Arrazit duke e detyruar atë të vetëvritet dhe të mbysë edhe tre fëmijët e saj.
Lidhur me të miturit është regjistruar nga prokuroria akuza për vrasje për shkak të cilësisë së veçanta të viktimës.
Për shkak të ndarjes nga jeta të nënës, Alma Arrazi kjo akuzë e dytë është pushuar nga prokuroria e Shkodrës.
39-vjeçarja Alma Arrazi mori me vete tre fëmijët e saj dhe u hodh në ujërat e lumit Buna në Shkodër duke i dhënë fund jetës.
Tre ditë tragjedisë, një peshkatar gjeti rastësisht trupin e njërës prej vajzave. Më pas në vendngjarje shkuan polumbarët e forcave RENEA nga Tirana, të cilët pas disa ditësh kërkime arritën që të gjejnë në vende të ndryshme trupat e tjerë, të nënës dhe dy fëmijëve të mbytur në ujë.
Policia pas kësaj ngjarje të rëndë arrestoi bashkëshortin e viktimës dhe babain e tre fëmijëve. Erdgys Arrazi ka mohuar se është ai shkaktari i vetëvrasjes së bashkëshortes dhe për rrjedhojë edhe i tre fëmijëve të mitur duke thënë se dyshimet dhe akuzat se e ka keqtrajtuar dhe dhunuar psikologjikisht apo fizikisht gruan ishin të pavërteta, por më pas i dyshuari ka pranuar gjykimin e shkurtuar.
Pavarësisht këtyre pretendimeve në përfundim të hetimeve prokuroria e cilëson si fajtor 32-vjeçarin për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes duke kërkuar 6 vite burg në Gjykatën e Shkodrës.
Tashmë pritet se cili do të jetë vendimi i togave të zeza pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria dhe mbrojtjes që do të paraqesin avokatët.