
Rama reagon sërish për procesin e Veliajt: Prokuroria të mësojë të respektojë “tjetrin”, të konsiderojë prezumimin e pafajësisë
Publikuar më 25.02.2025 nga shekulli_admin
Kryeministri Edi Rama, në rubrikën Sy më sy në Facebook, foli ndër të tjera edhe për procesin që ka nisur SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Rama tha se sot SPAK ka vullnetin e pavarësisë. Sipas tij, SPAK duhet të mësojë të respektojë tjetrin. Kreu i qeverisë shtoi se gjithashtu SPAK duhet të ketë respekt për prezumimin e pafajësisë, ndaj kujtdo që merret nën hetim.
Rama theksoi se, ndërkohë që SHBA ka pasur një rol asistues në krijimin e SPAK, tashmë ata nuk janë më të pranishëm dhe ambasada e SHBA-së nuk ka bërë më asnjë deklaratë mbi këtë çështje. Rama gjithashtu ka komentuar deklaratat e opozitës, ku “Bufi” është shprehur se do të “shkrinte” SPAK-un, duke e quajtur këtë një veprim të motivuar nga frika e të kaluarës që nuk mund të ndryshohet.
Edi Rama: Jemi përpara një fakti të thjeshtë, dua ata që insistojnë që këtu jemi të gjithë njësoj, janë të gjithë për burg. SPAK është një institucion i krijuar nga vullneti politik i PS, SPAK e solli Amerika, e mban Amerika, se është Amerika, Amerika nuk është më, i kishte njerëzit e vet që asistonin SPAK, shkonin, hynin e dilnin në mëngjes, nuk janë më, i ka tërhequr Amerika.
Keni dëgjuar ndonjë ambasadës amerikane për SPAK, për drejtësinë? Pati një deklaratë nga BE, unë ato që thashë i them prapë, bëhet fjalë për institucionet e reja që kanë 5 vjet dhe kanë nevojë edhe për kriticizëm konstruktiv. Këneta është e përbetuar nëpërmjet gojës së bufit vet, që do e shkrijë SPAK.
Nëse do të isha dhe unë i interesuar, i trembur, i shqetësuar, kjo do ishte më e thjeshtë, një fishkëllime dhe a e di si vinte bufi? E sillte tmerri që ka nga SPAK. SPAK është aty dhe do të jetë aty me mbështetjen e kësaj fuqie, të PS. Populli shqiptar kërkon që SPAK të jetë aty, të fuqizojë veten. Sot kemi provën e padiskutueshme të pavarësisë së SPAK. Por duhet edhe profesionalizmi dhe integriteti.