Përfundon protesta në 2 nga 5 pikat kyçe në Tiranë, përplasje mes policisë dhe deputetëve
Publikuar më 26.11.2024 nga shekulli_admin
Pas rreth 2 orësh, protesta e opozitës e zhvilluar në Tiranë në kuadër të aksionit të mosbindjes civile, po shkon drejt përfundimit.
Mbështetësit e PD kanë bllokuar 5 pika kyçe në kryeqytet si sheshin Wilson, kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit, Pallati me Shigjeta, rrethrrotullimi i Zogut të Zi dhe Bashkia e Tiranës. Policia kërkoi nga protestuesit të lirojnë rrugën për të mos paralizuar qarkullimin e automjeteve, duke përsëritur se kjo është kundravajtje penale. Rezistencës së protestuesve policia iu përgjigj duke ndërhyrë për hapjen e rrugëve me forcë. Te Bashkia e Tiranës, Policia përdori edhe makinën e ujit për të larguar mbështetësit e opozitës nga rruga. Po ashtu, autoboti i ujit u përdor edhe te sheshi Wilson, ndërsa u hodh edhe gaz lotsjellës.
Fillimisht protesta u mbyll te sheshi Wilson, atje ku u përdor edhe sasia më e madhe e ujit me presion ndaj mbështetësve të opozitës.
Pak minuta më pas u deklarua mbyllja e protestës në një tjetër pikë, atë te Zogu i Zi, ndërsa në të gjithë Tiranën, protestuesit u përqëndruan në 5 pika kyçe (Pallati me Shigjeta, Ura te Rruga e Elbasanit, Zogu i Zi, sheshi Wilson dhe Bashkia e Tiranës).
Protestuesit, deputetë dhe anëtarë të Kryesisë së PD dhe aleatëve të saj, që ishin te sheshin Wilson i janë bashkuar protestuesve te Bashkia e Tiranës.
Gjithashtu ata që ishin te Zogu i Zi sërisht pritet t’i bashkohen protestuesve po te Bashkia, ku mesa duket do të qëndrojnë deri në orën 20:00, kohë kur përfundon edhe protesta, bazuar në njoftimin që opozita i ka bërë Policisë së Shtetit.
Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, në përfundim të protestës së opozitës, tha se ishte një protestë tërësisht paqësore dhe e ligjshme.
“Pa asnjë shkak, në mënyrë anti-ligjore, Policia vendosi të dhunojë qytetarët, duke përdorur të gjitha mjetet që përdoren në protestat e dhunshme, ndërsa protesta ishte paqësore.
Ai tha se punonjësit e policisë ishin pa një numër identifikimi, duke shtuar se “ne nuk e dimë nëse ishin anëtarë të bandave apo patronazhistë që ishin urdhëruar për të dhunuar mbështetësit e opozitës”.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se përdorimi i forcës ndaj një proteste paqësore ishte tej asaj që përcakton ligji.
“Ne protestën e çuam deri në fund, sipas asaj që ishte planifikuar protestuesit do të mblidhen në Bashkinë e Tiranës. Kemi një polici që lag e sulmon qytetarët dhe i ve ombrellën mbrojtëse krimit të organizuar”, tha Bardhi.
Por si do të veprojë opozita pas kësaj proteste?
Bardhi tha se do të veprohet rast pas rasti dhe mediat do e mësojnë të parët planin opozitar. Bardhi tha se do të jenë qytetarët ata që do të përcaktojnë se çfarë do të ndodhë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka deklaroi nga një nga pikat e protestës së opozitës në kryeqytet se policia “ka mision të luftojë opozitën”.
Noka u shpreh se policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve paqësorë.
Ai vijoi duke thënë para mediave se policia nuk ka të drejtë të japë apo refuzojë lejen për protestë, por vetëm të garantojë rendin publik pasi të njoftohet. Sakaq, ai theksoi se kushdo që “prek protestuesit do të ketë punë me PD-në”.
“Policia ka mision të luftojë opozitën. A mund të quhet polici që i shërben ligjit. Ato fytyra aty mbrapa nuk përfaqësojnë as ligjin e as shtetin. Ata janë mercenarë të krimit të organizuar dhe s’kanë lidhje me ligjin. Janë të gjithë polici politike dhe e inkriminuar kundër opozitës. Fakti që ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve paqësore tregon misionin e tyre politik. Policia s’ka të drejtë të japë apo jo leje, ata thjesht marrin njoftim dhe garantojnë rendin publik. Kur protestonim në bulevard, a ishin të bllokuara rrugët, nuk thanë gjë”, u shpreh ai.
Deputetja e PD Dhurata Çupi, në një prononcim për News 24 tha se opozita është në të drejtën e saj për të protestuar.
Çupi deklaroi se policia ka bërë presion dhe ka përdorur gaz lotsjellës. Ajo tha se është e rëndë ajo që ka ndodhur, teksa një 80-vjeçare ra përtokë nga presioni me ujë.
“Jemi në të drejtën tonë të protestojmë. Në protestë kishte deputetë, qytetarë të thjeshtë, nuk provokuam fare policinë. Policia bëri presion dhe përdori gaz lotsjellës. Një zonjë 80-vjeçare ra përtokë nga sulmi i policisë dhe nuk ngrihej dot.
Ne thirrëm ambulancën dhe ambulanca nuk erdhi. Është ajo polici, që ka të njëjtat vuajtje si ne. Kushtetuta njeh të drejtën e protestës, opozita nuk mund të ulë kokën ndaj pushtetit të Edi Ramës, pasi kjo polici është politike”, deklaroi Çupi.