Me një skenar të përsëritur, opozita duket sikur ka marrë shiritin e një filmi të vjetër dhe vazhdon ta shfaqë pa ndërprerje, pavarësisht audiencës që po mërzitet e largohet nga salla. Në vend që të hapin shtigje të reja për ndryshim, ata kanë zgjedhur një rrugë me gropa, që jo vetëm bllokon trafikun fizik, por edhe atë të ideve.
Pika e parë: Trafiku i Tiranës është tashmë një dramë kombëtare. Protesta që bllokon rrugët? Ky është si të fusesh një shpullë në fytyrë dhe një shtyrje tjetër në shpinën e dikujt që mezi qëndron në këmbë. Në vend që të bashkohen me opozitën, njerëzit përfundimisht do të fillojnë të kërkojnë një “mosbindje civile” kundër vetë protestës.
Pika e dytë: Mungesa e ideve. Si mund të vazhdohet të bëhet e njëjta gjë dhe të priten rezultate të ndryshme? Më mirë do ishte sikur protestuesit të bllokonin godinën e Partisë Demokratike dhe të bënin proteste me moton “Kërkojmë një ide të re!”
Pikë e tretë: Policia dhe protestuesit janë si aktorët e një telenovele. Gjithmonë të njëjtat përplasje të lehta, shtrëngime duarsh mes dy akteve, dhe më pas një kafe pas kamerave. Nëse edhe spektakli i protestës ka marrë këtë shije monotone, si mund të tërhiqet publiku?
Pikë e katërt: Publiku i lodhur kërkon komedi, jo tragjedi. Mjaft na shqetësuat me bllokime! Pse nuk organizoni një konkurs ku deputetët të shkruajnë poezi për hallet e popullit? Keshtu Gjekmarkaj mund të fitonte ndonje çmim në poezi në vend që të shtrohej në spital per shtyrje ne gjoks.
Mesazhi i fundit për opozitën: Nëse doni të bllokoni rrugë, të paktën bëjeni tamam. Por nëse doni të hapni shtigje, mos na pengoni rrugën për në punë. Më shumë ide, më pak barrikada! Dhe mos harroni, një opozitë që vlen është ajo që na çon përpara, jo ajo që na ndal aty ku ishim.