Me duartrokitje, lot e lule, besimtarë, diplomatë, klerikët e besimeve të tjera fetare kanë përcjellë për në banesën e fundit Fortlumturinë, Hirësinë e Tij, Kryepeshkopin Anastas Janullatos.
Trupi i tij do të prehet në Kriptën e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, amanet ky i lënë nga vetë Kryepeshkopi Janullatos i cili dëshironte që pas vdekjes të varrosej në tokën shqiptare.
Prej mëngjesit të kësaj të enjte në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbajt mesha e lamtumirës për Kryepeshkopin, Anastas Janullatos. Kjo ceremoni mortore zgjati për rreth tre orë dhe të shumtë ishin ata besimtarë e politikanë të cilët i dhanë lamtumirën e fundit Hirësisë së Tij Janullatos.
Ashtu si dhe kemi raportuar më herët pjesë e kësaj ceremonie mortore ka qenë kryeministri i vendit, Edi Rama, homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, ministra grek, dipomatë, një delegacion nga Vatikani, klerikë të besimeve të tjera e përfaqësues të Kishës Ortodokse nëpër botë.
Pas përfundimit të liturgjisë hyjnore, ishte mbesa e Janullatos ajo e cila mes lotësh kujtoi dashurinë e pashterueshme të xhaxhait të saj për popullin shqiptar, vendit të cilit i shërbeu për vite me radhë.
Teksa iu drejtua të gjithë të pranishmëve me fjalët “Vëllezërit e mi”, Roskana Janullatos kërkoi që shembulli i Kryepeshkopit Janullatos dhe virtytet e tij të jenë një simbol frymëzimi dhe mirësie për të gjithë.
Më pas ishte kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ai i cili vlerësoi figurën e Kryepeshkopit Janullatos. Teksa më tej fjalën e mbajti kreu i qeverisë shqiptare i cili përpos nderimit të larta për Fortlumturinë e Tij tha se ai: “Erdhi në Shqipëri si prifti grek dhe u largua si Anastasi i Shqipërisë”.
“Sot më takon të kujtoj në nderin e tij diçka që shumë e kanë parë, e shumë të tjerë se kanë kuptuar apo dashur ta besojnë por ai e dëshmoi në 33 vite dhe e dëshmon e sot me trupin që la këtu në tokën e Shqipërisë i cili me kërkesën e tij do të varroset pikërisht në këtë Katedrale siç ai e quajti Katedralen dhe Ngjallje kishte edhe vetë kuptimin e emrit të tij.
Sisoj në këtë ditë të mbylljes së ciklit të një jete kushtuar ngjalljes duhet thënë pa asnjë dyshim, Anastasi erdhi mes nesh 33 vite më parë si një prift nga Greqia dhe pas 33 vitesh ndahet nga mesi ynë si Anastasi i Shqipërisë”, tha Rama.
Në ceremoninë mortore për Kryepeshkopin Anastas mbajtën fjalën e tyre edhe disa personalitete të rëndësishme, ku mes tyre edhe Patriarku Ekumenik Bartolomeu. I përlotur ai e cilësoi ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit si një humbje të madhe.
“Shtylla e madhe e Kishës Ortodokse në Shqipëri ka rënë! Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka ndërruar jetë pranë Zotit! Edhe pse mosha e tij e madhe dhe përkeqësimi i shëndetit na kishin përgatitur për fundin e tij të afërt në këtë jetë tokësore, humbja e një Ati shpirtëror dhe udhëheqësi të tillë kishtar shkakton një dhimbje të thellë njerëzore! Anastasi ishte shërbëtori i mrekullisë së ringjalljes së Kishës Ortodokse në Shqipëri, pas natës së errët dhe të zymtë të ateizmit të organizuar dhe pas persekutimit të madh që regjimi ateist i bëri të krishterëve”, tha Bartolomeu ndër të tjera.
Një lajm i kobshëm tronditi besimtarët ortodoksë mëngjesin e 25 janarit. Në orën 07:30 (08:30 me orën greke), Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos ndërroi jetë në spitalin “Evangelismos” në Greqi ku prej ditësh ndodhej i shtruar dhe luftonte për jetën.
Pavarësisht përkujdesit dhe ndihmës së bluzave të bardha, Hirësia e Tij Janullatos nuk arriti të mbijetonte.
Si në Greqi po ashtu dhe në Shqipëri Kryepeshkopi Anastas u përcoll e prit me nderimet më të larta. Me lule në duar u prit mëngjesin e së martës në Kakavijë kortezhi me trupin e ndjerë të Kryepeshkopit, pas homazheve që iu bënë në Athinë përgjatë fundjavës.
Në Katedralen e Gjirokastrës u mbajt edhe një meshë e e posaçme në nder të tij, teksa në orën 16:00 të së martës u bë pritja e tij në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku homazhet vijuan deri ditën e sotme që dhe u përcoll për në banesën e fundit.
Anastas Janullatos shërbeu si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë për më shumë se tre dekada, duke luajtur një rol kyç në ringritjen dhe forcimin e saj pas rënies së komunizmit. Gjatë udhëheqjes së tij, ai kontribuoi në rindërtimin e shumë kishave, zhvillimin e institucioneve fetare dhe forcimin e marrëdhënieve ndërfetare në Shqipëri.
I lindur në Greqi më 4 nëntor 1929, Anastas Janullatos ishte një figurë me ndikim të madh në botën ortodokse. Përpara se të merrte drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, ai kishte shërbyer në misione fetare në Afrikë dhe ishte njohur për kontributin e tij akademik dhe teologjik.