Shqipëria e ndalon pas vrasjes së të miturit me thikë, Rama: TikToku është rrugaçi i lagjes, që ne kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia
Publikuar më 21.12.2024 nga shekulli_admin
Shqipëria ka njoftuar një ndalim për një vit të TikTok pas vrasjes së një adoleshenti muajin e kaluar që ngjalli frikën mbi ndikimin e mediave sociale te fëmijët.
Edi Rama, kryeministri konfirmoi ndalimin, pjesë e një plani më të gjerë për t’i bërë shkollat më të sigurta, pas takimit me grupet e prindërve dhe mësuesit nga i gjithë vendi.
Kreu i qeverisë thekoi se përgjatë vitit të aplikimit të masës do të shihet se si veprojnë vende e tjera dhe nëse do vendosen filtra në rrjetin social.
“Është shumë më i fortë, shumë më ndikues, shumë më tërheqës ai rrugaçi i lagjes që e ka në telefon që quhet TikTok.
TikToku është rrugaçi i lagjes, që ne kemi frikë kur fëmija shoqërohet me të kur del nga shtëpia.
Ne TikTokun do ta mbyllim për një 1 vit. Kemi bërë hulutimiet tona në aspektin teknologjik, do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Pastaj dhe gjatë atij viti do të shikojmë se si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do të nxjerrë teknologjia për filtra etj., si do të reagojë TikTok“, tha Rama.
TikTok nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment jashtë orarit normal të punës, shkruan The Guardian.
Disa vende evropiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Belgjikën, kanë vendosur kufizime në përdorimin e mediave sociale për fëmijët. Në një nga rregulloret më të ashpra në botë lidhur me teknologjinë, Australia miratoi në nëntor një ndalim të plotë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Rama ka fajësuar mediat sociale, dhe TikTok në veçanti, për nxitjen e dhunës mes të rinjve brenda dhe jashtë shkollës. Vendimi i qeverisë së tij vjen pasi një nxënës 14-vjeçar u godit me thikë për vdekje në nëntor nga një nxënës tjetër.
Mediat vendase kishin raportuar se ngjarja erdhi pas debateve mes dy djemve në rrjetet sociale. Në TikTok ishin shfaqur edhe video të të rinjve që mbështesnin vrasjen.
“Problemi sot nuk janë fëmijët tanë, problemi sot jemi ne, problemi sot është shoqëria jonë, problemi sot është TikTok dhe gjithë të tjerët që po na marrin peng fëmijët”, tha Rama.
Ndalimi pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj, u kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin.
Rama u shpreh se u kthye në një farsë, ndërsa theksoi se nuk mund të parandalohen dhe shmangen të gjitha ngjarjet që fatkeqësisht ndodhin.
Kreu i qeverisë deklaroi se me planin e ri për paketën e sigurisë në shkolla do të kemi një sistem arsimor akoma më të mirë e më të sigurtë.
Edi Rama: U bë shkak një tragjedi që të vihej në lëvizje një shoqëri e tërë dhe një tërësi komunitetesh shkollore. Qasja ndaj një ngjarje ka zgjedhje të ndryshme, ka një farsë, ka edhe një marrje përgjegjësie. Si gjithnjë këtu në vendin tonë, edhe në këtë rast farsa nuk mungoi me të gjithë atë forcë destruktive që në fakt rivret të vrarët, riplagos të plagosurit dhe nuk lejon që reflektimi e nxjerrja e mësimeve të zhvillohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Është e rëndësishme të kuptohet që qeveria, shteti janë struktura në zhvillim, në përmirësim dhe në vetëkorrigjim të vazhdueshëm.
Edhe në këtë ngjarje tragjike ka dy Shqipëri, një në Parlament dhe një në komunitet, prindërit e prekur drejtpërdrejt se kanë fëmijët në shkolla.
Nuk mund të parandalohet dhe shmangen të gjitha ngjarjet që fatkeqësisht ndodhin. Ajo që i dallon qasjet ndaj tyre, qoftë komunitar apo qeveritar, është si reagojmë ndaj tyre. A bëhet ngjarja një arsye e fortë që pastaj si rrjedhojë ajo sferë e veprimtarisë shoqërore të bëhet më e mirë, apo ngjarja të bëhet një sebep që shoqëria e tërë të futet në një përleshje se kush e ka fajin. Këto të dyja na ndajnë ne edhe në këtë aspekt, ndihem i lehtësuar që në një periudhë të shkurtër, pas një diskutimi me faktorët e lidhur me këtë sferë të edukimit të fëmijëve, kemi një produkt konkret dhe masa. Kemi sigurisë që duke zbatuar këtë plan do të kemi një sistem arsimor akoma më të mirë e më të sigurtë