Dumani i përgjigjet Berishës për dosjen e SPAK ndaj Ballukut: Nuk e kam kërcënuar prokurorin Prençi për të mos vazhduar hetimet, është zot i çështjes së tij
Publikuar më 06.11.2025 nga shekulli_admin
Altin Dumani rrëzoi akuzat e Sali Berishës, i cili është shprehur se kreu i Prokurorisë së Posaçme ka intimiduar prokurorin Dritan Prençi, për të mos vazhduar hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë, konkretisht në atë të tunelit të Llogarasë.
Në një intervistë në RTSH 1, Dumani theksoi se prokurorët e posaçëm janë “Zot” të çështjeve të tyre, dhe si rrjedhojë puna e tyre nuk mund të diktohet, devijohet apo manipulohet. Kreu i SPAK tha se deri tani prokurori Prençi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim nga çështja e Ballukut.
“Nuk i komentoj deklaratat politike, por ajo që theksoj është kjo: prokurorët e posaçëm janë të pavarur, janë zot të çështjes. Si drejtues i SPAK kam ofruar për prokurorin e çështjes, për arsye konkrete, gjithmonë mbështetjen time, solidaritetin tim, sa herë ka qenë e nevojshme ndihma ime. Në rastin konkret asgjë nuk qëndron, nuk është e vërtetë. Prokurori Prenci ka mbështetjen time për këtë çështje dhe të tjerat”,- tha Dumani.
Njoftimin publik që SPAK më 31 bëri për të sqaruar arsyen e paraqitjes së Ballukut në ambientet e prokurorisë Dumani e cilësoi konform çdo ligji, sa i përket anës proceduriale.
“Sa i takon informimit të publikut lidhur me çështjet që janë në hetim, ne jemi gjithmonë të kujdesshëm, pasi qëllimi kryesor është të ruajmë integritetin e hetimit, të mos e dëmtojmë. Nga ana tjetër, ne marrim në konsideratë edhe të drejtat e subjektit të akuzuar në proces. Njoftimi u bë ditën që subjekti u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, subjekti në fjalë. Ishte njoftim korrekt nga ana procedurale dhe i mjaftueshëm për publikun”,- tha Dumani.
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani ka deklaruar se ka pasur plane për realizim atentatesh ndaj prokurorëve të SPAK.
Dumani theksoi se ka metoda të ndryshme për të transmetuar kërcënimin ndaj prokurorëve të posaçëm.
Midis këtyre formave, Dumani vuri në dukje se ka pasur kërcënime me jetë deri në plane për realizimin e atentateve ndaj prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Ka metoda të ndryshme për të transmetuar një kërcënim te prokurorët e Posaçëm. Krimi i organizuar është shumë i sofistikuar. Por mund të them këtë që janë kërcënime të formës përmes telefonatave apo duke kërcënuar familjarë të prokurorëve të posaçëm, apo vetë prokurorëve të posaçëm, kërcënime madje me jetë, deri plane në realizimin e atentateve ndaj prokurorëve”, u shpreh Dumani.
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani ka bërë të ditur se mbi 330 milionë euro janë sekuestruar për pastrim parash nga viti 2020.
Altin Dumani tha se SPAK ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara.
Sipas Dumanit që nga viti 2020 deri në vitin 2024 vlera e “pasurive të sekuestruara dhe konfiskuarve, ishte 230 milionë euro sot mund të kemi kaluar mbi 300 milionë euro. Ta krahasosh me vendet e rajonit nuk gjen këtë nivel konfiskimesh”.
“Sa i takon pastrimit të parave, Prokuroria e Posaçme ka rritur numrin e procedimeve penale të regjistruam numrin e të pandehurve, të gjykuarve, ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara. Që nga viti 2020 deri në vitin 2024 vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuarve, ishte 230 milionë euro sot mund të kemi kaluar mbi 300 milionë euro.
“Ta krahasosh me vendet e rajonit nuk gjen këtë nivel konfiskimesh dhe sekuestrimesh si SPAK. Në hetimet tona e kemi bërë prezent që “po”, kemi konstatuar që paratë e pista janë investuar në turizëm”, theksoi Dumani.