Presidenti i zgjedhur Donald Trump kërcënoi të dielën të rikthejë kontrollin amerikan mbi Kanalin e Panamasë, duke akuzuar Panamanë për zbatim tarifash të tepruara për shfrytëzimin e kalimit në Amerikën Qendrore dhe duke nxitur një reagim të ashpër nga presidenti panamez Jose Raul Mulino.
Duke folur para një turme mbështetësish në Arizona të dielën, zoti Trump tha gjithashtu se nuk do të lejonte që kanali të bjerë në “duar të gabuar”, duke paralajmëruar për ndikimin e mundshëm kinez.
Kina nuk e kontrollon apo administron kanalin, por një degë e CK Hutchison Holdings me seli në Hong Kong ka menaxhuar prej kohësh dy porte në hyrjet e Karaibeve dhe Paqësorit në kanal.
Presidenti i zgjedhur i bëri komentet disa orë pasi ai bëri një kërcënim të ngjashëm kundër Panamasë në një postim në platformën Truth Social të shtunën mbrëma.
“A ka dëgjuar dikush ndonjëherë për Kanalin e Panamasë?”, tha zoti Trump të dielën në AmericaFest, një ngjarje vjetore e organizuar nga Turning Point, një grup konservator. “Sepse ne po na rrjepin në Kanalin e Panamasë sikurse po na rrjepin kudo tjetër”.
Komentet e zotit Trump janë një shembull jashtëzakonisht i rrallë që një udhëheqës amerikanë të thoshte se mund të shtynte një vend sovran të dorëzonte territorin. Ai gjithashtu nënvizon një ndryshim të pritshëm në diplomacinë amerikane nën zotin Trump, i cili historikisht nuk i është shmangur kërcënimit të aleatëve dhe përdorimit të retorikës së fortë kur ka të bëjë me homologët.
“Tarifat që zbatohen nga Panamaja janë qesharake, shumë të padrejta”, tha zoti Trump. “Iu dha Panamasë dhe popullit të Panamasë, por ka kushte. Ju duhet të na trajtoni me drejtësi dhe ata nuk na kanë trajtuar me drejtësi. Nëse parimet, morale dhe ligjore, të këtij gjesti madhështor të dhënies nuk pasohen me vepra, atëherë ne do të kërkojmë që të na kthehet Kanali i Panamasë, i plotë, shpejt dhe pa diskutim”.
Në një mesazh të regjistruar të publikuar nga presidenti panamez Mulino të dielën pasdite, udhëheqësi i vendit tha se pavarësia e Panamasë ishte e panegociueshme dhe se Kina nuk kishte asnjë ndikim në administrimin e kanalit. Ai mbrojti gjithashtu tarifat, duke thënë se ato nuk ishin vendosur “në një trill”.
“Çdo metër katror i Kanalit të Panamasë dhe zonës përreth i përket dhe do të vazhdojë t’i përkasë Panamasë”, tha Presidenti Mulino në deklaratën që u publikua në platformën X.
Disa politikanë të tjerë panamezë, përfshirë edhe përfaqësues të opozitës, postuan në mediat sociale duke kritikuar deklaratat e zotit Trump.
Shtetet e Bashkuara ndërtuan kryesisht kanalin dhe administruan territorin përreth kalimit për dekada. Por, në vitin 1977 Shtetet e Bashkuara dhe Panamaja nënshkruan një palë marrëveshjesh që hapën rrugën për kthimin e kanalit nën kontrollin e plotë të Panamasë. Shtetet e Bashkuara dorëzuan kontrollin e kalimit në 1999 pas një periudhe administrimi të përbashkët.
Kanali që lejon deri në 14,000 anije të kalojnë në vit, përbën 2.5% të tregtisë globale në det dhe është thelbësore për importet amerikane të makinave dhe mallrave komerciale nga anijet me kontejnerë nga Azia dhe për eksportet e mallrave të SHBA-së, përfshirë gazin e lëngshëm natyror.