Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin për shkarkimin e Veliajt nga posti i kryetarit të bashkisë, ndërkohë që pezullon zgjedhjet për bashkinë më të madhe në vend. Analisti Skënder Minxhozi tha për ‘Real Story’ se Gjykata Kushtetuese i ‘tha qeverisë se duhet të futet në procedurë”.
Sipas tij, vendimi është i shëndetshëm dhe i bën mirë klimës politike. ‘Më pëlqen kur Gjykatat Kushtetuese kundërshtojnë qeveritë. Shembuj kemi pasur plot dhe këto raste i bëjnë mirë një demokracie. Vendim për Veliajn është i shëndetshëm pasi korrekton qëndrimin e qeverisë në rastin konkret. Gjithashtu i thotë Ramës je i fuqishëm por futu në procedurë.
Ajo që ka ndodhur me Veliajn është realisht e rëndë. Ai nuk u thirr të dëgjohet as në “qendrën e tij të punës”, imagjinoni. Në këtë qytet nuk ka një territor ku duhet të kishte më shumë empati dhe mirëkuptim për kreun e bashkisë Tiranë, sesa vetë godina e bashkisë. Ata nuk e ftuan dhe këtu luajti rol presioni i qeverisë. Në anën tjetër edhe kjo drejtësi është sjellë përtej rreshtave me Veliajn, e ka trajtuar atë si një terrorist. Trajtimi i tij nga shkurti pa akuzë, ka fshirë brutalisht konceptin e prezumimit të pafajësisë, duke e kthyer kreun e bashkisë në një shënjestër sulmesh ndërkohë që nuk ka nisur ende procesi gjyqësor për akuzat e ngritura ndaj tij. Erion Veliaj është trajtuar si një tabelë qitjeje duke na kujtuar situatat e vjetra me armiqtë e shtetit e partisë, të cilët masakroheshin publikisht ende pa u shpallur fajtorë nga gjykatat. Vendimi i sotëm i bën mirë klimës që është krijuar, pasi vendos një piketë të rëndësishme procedurale që lidhet me mandatin e kreut të bashkisë më të madhe në vend.