Nëna e Martin Canit kërkon dorëheqjen e përgjegjësve: Sot e kam fëmijën në dhe, nuk më vjen më, prindërit e Marios nuk më kanë kontaktuar
Publikuar më 18.12.2024 nga shekulli_admin
Qytetarë të shumtë protestuan sot duke kërkuar drejtësi për 14-vjeçarin Martin Cani, i cili u vra nga një bashkëmoshatar pranë shkollës “Fan Noli” një muaj më parë.
Fillimisht qytetarët u mblodhën në shkollën “Fan Noli”, ku ndezën qirinj në kujtim të tij ndërsa më pas me pankartën në duar “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” ata marshuan drejt Ministrisë së Arsimit.
Në protestë ndodheshin edhe prindërit e 14-vjeçarit Cani.
Nëna e Martinit, me lot në sy ka kërkuar drejtësi për të birin ndërsa nuk la pa përmendur edhe shokun e Martinit, 14-vjeçarin Luis Meçe i cili u plagos.
“Për autorin nuk dua të them gjë, ai ishte fëmijë si fëmija ime. Por kjo mund të parandalohej, Dua dorëheqjen e të gjithë atyre që nuk më njoftuar, mësuesja kujdestare nuk më njoftoi që kishin grindje. Dua drejtësi për Martinin dhe Luisin. Falë zotit që ma fali Lusin sepse ai është edhe fëmija im tani”, tha ajo.
Florina Cani ka kërkuar drejtësi për të birin, ndërsa ka zbuluar se ende nuk është kontaktuar nga prindërit e autorit të vrasjes, 14-vjeçarit Mario Përlleshajt.
“Martini nuk u vra pasdite apo në orarin kur kishte mbaruar puna. Ndryshe do të ishte përgjegjësia ime. Martini ishte një fëmijë shumë i sjellshëm, Dua drejtësi dhe vetëm drejtësi! Më parë isha mësuese në fshat dhe i ndiqnim fëmijët me sy deri në momentin që iknin nëpër rrugica. Ne nuk na njoftuan kurrë.
Nuk më dha askush një sinjal, nëse do ta dija… unë e njoh më shumë fëmijën tim. Kam qenë në gjendje shumë të rëndë. Nuk e dija kush ishte autori, kur mora vesh që ishin bashkëmoshatarë nuk fola asnjë fjalë sepse janë fëmijë. Por prindërit e tij duhet të reagonin duhet të thonin kemi të njejtën dhimbje si ju! Unë e kam në dhe sot fëmijën, nuk më vjen më”, tha nëna e Martin Canit.