Pas certifikimit të zgjedhjeve, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk vonoi dhe njoftoi se ka thirrur për të mërkurën, më 11 shkurt, seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta thërrasë për sot, më 11 shkurt 2026,”, është thënë në njoftimin e Presidencës.
Pas mbledhjes me përfaqësuesit politikë për përgatitjen e seancës konstituive, Basha tha se ka pasur konsensus edhe për pikat e tjera të rendit të ditës, përfshirë të zgjedhjes së kryetarit dhe pas konstituimit të Kuvendit do të vazhdohet me seancën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Në lidhje me pritshmëritë nga kjo seancë ka folur për “Bota sot” Driton Tali.
Ai thotë se Kosova ka nevojë urgjente për formimin e institucioneve, pasi është humbur mjaft kohë dhe vendi përballet me sfida të mëdha të brendshme e të jashtme.
Driton Tali
Ai nënvizon se, ndonëse Kuvendi dhe Qeveria mund të formohen, zgjedhja e Presidentit mbetet e pasigurt për shkak të mungesës së votave dhe mungesës së marrëveshjes mes partive politike.
“Që Kosovës i duhen institucionet të formohen, këtë të gjithë e kemi të qartë. Mjaft është humbur një vit me ndërskamca. Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë kështu edhe më tutje, me gjithë ato sfida që e presin, qofshin ato të brendshme apo rajonale e globale.
Prandaj, nëse nisemi nga kjo predispozitë, atëherë patjetër duhet edhe Kuvendi të konstituohet, të votohet Qeveria dhe gjithashtu Presidenti.
Mirëpo, gjykuar nga këto që kemi parë deri sot, dy institucionet e para (Kuvendi dhe Qeveria) kanë gjasa reale për t’u formuar, por ka ende paqartësi lidhur me votimin e Presidentit, sepse aty duhen 80 deputetë të jenë prezentë dhe partia fituese e zgjedhjeve nuk i ka, andaj i duhet bashkëpunim me njërën nga këto dy partitë e mëdha.
Deri tash nuk kemi parë ndonjë lëvizje që do të na jepte sinjal të fortë se partitë e kanë zgjidhur atë problem”, u shpreh Tali.
Në fund, ai thotë se kriza vjen nga mospranimi i plotë i rezultatit nga opozita, por beson se në fund do të arrihet kompromis për Presidentin dhe do të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Megjithatë, ai dyshon nëse kjo bindje është analizë racionale apo thjesht dëshirë personale.
“Problemi kryesor është se opozita ende nuk është e bindur me rezultatin e 28 dhjetorit, duke aluduar te mërgata.
Megjithatë, sipas meje, për aq sa unë po e shoh, ndonëse u mor vesh – nuk jam i sigurt – në fund do të gjendet kompromisi mes partisë fituese dhe njërës nga partitë opozitare për çështjen e Presidentit dhe nuk do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Por ende nuk e di nëse këtë ndjenjë e kam nga dëshira apo si rezultat i rezonimit të arsyeshëm”, përfundon Tali për “Bota sot”.