Publikohen pjesë nga dosja e SPAK për tunelin e Llogarasë, përfshihen komunikime mes zv.kryeministres Balluku dhe ish-drejtorit të ARSH, Berberi
Publikuar më 05.11.2025 nga shekulli_admin
SPAK ka marrë të pandehur katër zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës në lidhje me procedurat e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndër të cilët edhe Mirzeta Kashnica, specialiste e nivelit të lartë në këtë ministri.
Sot është publikuar dosja e Prokurorisë së Posaçme që lidhet me rastin e Kashnicës, ku përfshihen komunikime mes zyrtarëve të ministrisë dhe ish-drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, si edhe mes tyre dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për ecurinë e procesit të tenderimit.
Pjesë nga dosja u bënë publike fillimisht nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një konferencë për shtyp, dhe më pas u përmendën edhe nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.
Në 45 faqet e dosjes për Mirzeta Kashnicën, prokuroria ka përfshirë disa komunikime të cituara si pjesë e hetimit mbi mënyrën e zhvillimit të procedurave për tenderin, me një vlerë rreth 190 milionë euro.
Në një prej bisedave të përfshira, gjatë procesit të parë të tenderimit, Balluku i shkruan një prej vartësve: “Mendoj ta anulojmë, skualifikoji të gjithë”, ndërsa ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, i përgjigjet: “Jam mëse dakord, se kam diçka që s’më kuadron në gjithë situatën. Kur e do, sot apo nesër?”. Më pas, Balluku shton: “Kam atë ndjesinë time që nuk duhet”, dhe Berberi vijon: “E ke të fortë ndjesinë. Kur e do?”.
Në dosje flitet edhe në lidhje me komunikimet që zv/kryeministrja ka me ish-kreun e ARRSH, Evis Berberi në datën 17.03.2021.
Bisedat janë për tunelin e Llogarasë, ku zv/kryeministrja ndërhyn për të orientuar tenderin, duke anuluar procedurën e parë dhe skualifikuar operatorët konkurrentë.


Pjesë nga biseda:
Belinda Balluku: Po tuneli? E mbyllet?
Evis Berberi: Jo është rëndë Flasim live mos shkruajmë.
Belinda Balluku: Ok”. … … Gjoka punët e ngjashme i ka si nenkontraktor?.
Evis Berberi: Po i vetes te Rruga Arbrit Po ja ka njohur MIE”.
Belinda Balluku: Kur ia ka njohur? Dhe pse?.
Evis Berberi: Se është krijuar SPV për koncesionin Dhe SPV është Gjoka 87 ndërsa Konstruksion punimet i kryen Gjoka konstruksion është nenkontraktor i deklaruar ne Mie. Pse dhe si janë njohur punët se di”.
Belinda Balluku: “Je larg”.
Evis Berberi: “Jo Te vi”.
Belinda Balluku: “Hajde”.
Evis Berberi: “Erdha”.
Belinda Balluku: “Hajde se u cmena Viola eshte komplet pa memorie”.
Evis Berberi: “Erdhaa”.
Evis Berberi: “Me tha Arta ta takoj se kishte folur me ty”.
Belinda Balluku: “Nuk besoj qe do shtoj gje, po nje sy tjeter nuk eshte keq Se Viola me la pa fjale Komplet pa memorie, Sikur nuk ishte dje me ju”.
Evis Berberi: “Ok”. Takova Arten po se kuptova se i gjithe diskutimi ishte kur do e nxirrni vendimin”. Kur duhet te dale?.
Belinda Balluku: Mendoj ta anullojme skualifikoji te gjithe”.
Në një nga komunikimet e saj me ish kreun e ARSH Evis Berberi, Balluku i shkruante Berberit se detyra tashmë ishte i tij dhe pas emërimit duhet të kishte shumë kujdes, pasi prej tij varej e ardhmja e numrit 2 të qeverisë.
Pjesë nga dosja:
Në datën 28.05.2021, në orën 15:03, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin:
“I dashur Visi, marrëdhënia jonë ka kaluar ups and doëns shumë herë, por e rëndësishme është që unë ty të konsideroj një nga personat më të afërt. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë po të jap diçka nga e cila varet e ardhmja ime, e jotja dhe e shumë të tjerëve që ndodhen përqark nesh. Në rast se do të dështojë në këtë detyrë të re, të siguroj që do ishte një goditje e madhe për mua dhe dështimi ka të bëjë me punët, deadlines dhe deri te marrëdhëniet me njerëzit dhe fjalët që do qarkullojnë. Dua ta marrësh shumë seriozisht, dua të reflektosh mbi të dhe e hëna të jetë një stage i ri i jetës tënde profesionale. Hermetizëm, asnjë takim, asnjë premtim, të jesh prezent në çdo kantier, të mos marrësh vendime pa konsultim. Mos më zhgënje! Ta gëzosh, sapo e more emërimin”.
Në orën 15:03, Evis Berberi:
“Faleminderit. Më ke vlerësuar gjithmonë më shumë sesa kam pasur mundësi ta kthej. Nuk do të zhgënjej, përkundrazi.”
Në lidhje me komunikimin e mësipërm, rezulton se në datën 31.05.2021, shtetasi Evis Berberi është emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në bisedat mes tyre, Belinda Balluku lë takim me vartësin e saj Ervis Berberi mbrëmjen e 29 gushtit 2021. Duket se ky i fundit ka keqkuptuar orarin dhe ka shkuar në orët e para të mëngjesit, por Balluku e ka sqaruar me një sms të dytë.
“Në darkë o zemër”, i drejtohet zv.kryeministrja Balluku, ku në një SMS tjetër i kërkon: “Po futem në garazh Hajde lart më mirë Shkalla H”.
Ndërkohë një ditë pas takimit mes tyre, më 30 Gusht, janë takuar me 3 shtetasit turq, të cilët ishin pjesë e kompanisë që fitoi tenderin e tunelit të Llogarasë.
Në datën 28.08.2021, në orën 09:07-09:08, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhet: “E shpeton erind situaten? Ben sens apo jo?”.
Në orën 09:08-09:12, Evis Berberi: “Sens ben po mos na hidhen ne fyt pala tjeter. Si fillim ta shtyme qe ti japim kohe vetes. “.
Në orën 09:29, Belinda Balluku: “Neser ne 8 tek une, perballe me zyren tende”.
Në datën 29.08.2021, në orën 07:54, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin: “Mgjs te Toni u ula”.
Në orën 07:54, Belinda Balluku: “Ne darke o zemer.
Në orën 07:54, Evis Berberi: “Hahahaahaahha”.
Në orën 07:54-07:55, Belinda Balluku: “Une jam ne Viene Po le colin ne shkolle Kthem ne dreke”.
Në orën 07:55, Evis Berberi: “Ok”.
Në orën 19:56, Evis Berberi: “Une mberrita te Toni brenda u ula”.
Në orën 20:26, Belinda Balluku: “Erdha per pak”.
Në orën 20:26, Evis Berberi: “Ok”.
Në orën 20:26, Belinda Balluku: “Sorry se isha pak tek babi”.
Në orën 20:27, Evis Berberi: “Pa prob”.
Në orën 21:03, Belinda Balluku: “Po futem ne garazh, Hajde lart me mire, Shkalla H”.
Në orën 21:03, Evis Berberi: “Ketu jam Ok”.
**
Në datën 30.08.2021, në orën 12:08, Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: “Ke kane me vete?”.
Në orën 12:11, Evis Berberi: “Vetem tre turqiť”.
Në orën 12:17, Belinda Balluku: “OK”.
Në dosje përfshihen gjithashtu komunikime të tjera ndërmjet zyrtarëve të ministrisë dhe ARRSH-së lidhur me tenderin e dytë, i cili më pas u fitua nga një kompani turke.
Burime pranë çështjes theksojnë se hetimet janë ende në fazën e verifikimeve dhe nuk ka ende një qëndrim përfundimtar mbi përgjegjësitë individuale apo institucionale.