Shefja e diplomacisë europiane dhe Komisionerja e Zgjerimit: Shqipëria ka bërë një përparim të paprecedentë, i mundur anëtarësimi në BE deri në vitin 2030
Publikuar më 04.11.2025 nga shekulli_admin
Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas dhe Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp këtë të martë, më 4 nëntor, në lidhje me progres-raportin e publikuar sot mbi vendet kandidate për anëtarësim, mes të cilave bën pjesë dhe Shqipëria.

Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos dhe Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas
Gjatë fjalës së saj, Kallas theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të paprecedentë, madje shtoi se e shikon të mundur anëtarësimin e vendit tonë në BE deri në vitin 2030.
“Zgjerimi mbetet një përparësi politike, një investim gjeopolitik mbi të gjitha. Pushtimi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe zhvillimet politike e bëjnë mjaft të rëndësishëm procesin e zgjerimit. Shanset për ta zgjeruar BE-në nuk vijnë shpesh, këtë e dëgjuam në KE, ku u tha ‘o sot o kurrë!’.
Nuk do të ketë një rrugë të shkurtër pasi procesi i anëtarësimit është proces që bazohet në merita. Është një mundësi mjaft realiste të kemi disa vende të anëtare të reja brenda vitit 2030, Shqipëria, Moldavia, Mali i Zi dhe Ukraina.
Më pas duhet të punojmë me vendet e tjera, Kosovën, Turqinë… Shqipëria ka një përparim të paprecedentë. Anëtarësimi i Ukrainës në BE do të jetë një garanci e fortë sigurie, por ndërkaq pavarësisht se është një vend në luftë duhen reforma të thella.
Zgjedhjet e mëparshme në Moldavi treguan një rritje po të fortë të dëshirës së qytetarëve të këtij vendi për anëtarësim. Është ngadalësuar procesi i zgjerimit në Kosovë dhe Serbi për shkak të konflikteve mes tyre”, tha Kallas.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes një postimi në rrjetin e saj social.
“Shqipëria ka bërë progres të paparë. Ky rezultat i jashtëzakonshëm është një njohje e qartë e angazhimit të fortë politik të Shqipërisë dhe aspiratave të shoqërisë së saj për në BE”, shkruan Kos në platformën X.
Marta Kos shton se viti 2025 ka shënuar një përparim të rëndësishëm për procesin e zgjerimit të BE-së, ku vendet si Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia dallohen për përparimet e arritura në reforma gjatë vitit të kaluar.
Komisionerja nënvizon se kandidatët për anëtarësim kanë synime ambicioze për të përfunduar negociatat, ndërsa viti i ardhshëm do të jetë “moment i së vërtetës” për progresin e tyre.
Progres raporti Komisionit Europian për Shqipërinë vlerëson vijueshmërinë nga qeveria Rama 4 të avancimit drejt BE por kërkon mos ndaljen e ritmit të reformave të cilat duhet të jenë gjithë përfshirëse.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama shkruan ‘do të bëjmë gjithçka që duhet për t’u ulur më në fund si të barabartë rreth tryezës së BE-së. Le të vazhdojmë, të ecim përpara, së bashku’.
“Po, e bëmë — dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për t’u ulur më në fund si të barabartë rreth tryezës së BE-së. Le të vazhdojmë, të ecim përpara, së bashku.”, shkrua Rama.
Yes, we did! And we will do whatever it takes to finally sit as equals around the EU table. Let’s keep going, fast forward, together. pic.twitter.com/3ylIzzarJU
— Edi Rama (@ediramaal) November 4, 2025