
Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Alaudin Malaj ka komentuar zhvillimet lidhur me hetimet e SPAK ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Malaj deklaroi se, bazuar në komunikimet që kanë dalë nga përgjimet midis Ballukut dhe ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, duhet të ishte komunikuar edhe akuza për ndikim të paligjshëm, pasi elementët e bisedave tregojnë për ndërhyrje direkte në proceset tenderuese.
“Ballukut duhet t’i komunikohej edhe akuza për ndikim të paligjshëm nga komunikimet që kanë dalë me Evis Berberin,” u shpreh Malaj i ftuar në studion e emisionit “Log” në News24.
Sipas tij, hetimet e SPAK janë në fazë që mund të zgjerohen më tej, duke përfshirë edhe akuza të reja për persona të tjerë të përfshirë në këtë aferë.
“Që të cilësohet si grup i strukturuar kriminal, duhet të lidhen provat dhe faktet që kanë vepruar si grup. Nëse do hapet një telefon tjetër, nëse një dëshmitar jep një deklarim tjetër dhe tregon të vërtetën, është e sigurt që prokurori do u komunikojë akuzë tjetër këtyre. Akuzat do vijnë njëra pas tjetrës,” paralajmëroi Malaj.