
Qeveria mbyll TikTok për 12 muaj, Berisha njofton protestë kombëtare më 15 mars: Censura do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë
Publikuar më 06.03.2025 nga shekulli_admin
Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu ka deklaruar se qeveria, pas konsultimeve me prindërit, ka marrë vendimin për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të TikTok.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ajo ka bërë me dije se qeveria ka rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për TikTok për 12 muaj, periudhë kjo që sipas ministres do të shërbejë për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok.
Duke marrë të gjitha faktet dhe elementet që lidhen direkt me sigurinë e fëmijëve, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për TikTok për 12 muaj. Periudhë që do të na lejojë për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok. Jemi në komunikim me TikTok sa i takon filtrave, moshës së aksesit, kontrollin prindëror dhe filtrave të domosdoshëm lidhur me të gjitha aspektet e komunikimit në gjuhën shqipe. Me këto filtra do të parandalojmë edhe promovimin e sjelljeve që janë të padëshiruara që vijnë përmes komunikimit në platformën e TikTok”, tha ministrja.
E pyetur më tej nga gazetarët, ministrja ka sqaruar se bëhet fjalë për një mbyllje të përkohshme.
“Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok i kemi dhënë vetes 12 muaj kohë për të bërë të mundur që në bashkërendim që me përfaqësuesit e TikTok të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vendosur kushtet dhe kriteret e duhura që aksesi në TikTok të mos dëmtojë të rinjtë. Ato materialet që qarkullojnë, që ne i kemi marrë, ka akte deri në vepra penale, nxisin dhunën dhe kur të rishikohet masa që është propozuar nëse do të ketë plotësime të këtyre kritereve atëherë të jemi krejtësisht të qetë që lundrimi i fëmijëve të jetë i sigurt, pa efektet e dhunës dhe nxitjes së bullizmit online me efekte negative në shëndetin e fëmijëve. Do të ketë Agjencia Kombëtare për sigurinë kibernetike, do të duhen disa ditë apo 1 javë për të ndërprerë përkohësisht aksesin në TikTok”, tha ajo.
Reagon opozita
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të qeverisë për të mbyllur përkohësisht platformën TikTok në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, Berisha e cilësoi këtë vendim si një akt censure dhe një përpjekje për të kontrolluar komunikimin e qytetarëve.
Ai e konsideroi vendimin një formë represioni ndaj mbi një milion përdoruesve të TikTok në vend dhe akuzoi qeverinë për intolerancë dhe përpjekje për të kufizuar lirinë e shprehjes.
“Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Chapo njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTok-ut për 12 muaj. Me këtë akt censure të mbi 1 mln përdoruesve të TikTok në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila sot ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe botë.
Sali Berisha: Të pretendosh se po ecën drejt Europës dhe të rreshtosh Shqipërinë me Iranin e Somalinë, bën një akt monstruoz kundër fjalës së lirë, një censurë dhe dëshmon se udhëtimi europian i Shqipërisë është një hipokrizi për ty.
Kujtoj këtu se zv presidenti i SHBA Vence, në fjalën e tij në Mynih konsideroi mbylljen e mediave sociale si një antivlerë shumë të rrezikshme për shoqëritë e lira dhe mendimin e lirë.
T’u heqësh shqiptarëve të drejtën e përdorimit të TikTok dëshmon se çfarë arbitrariteti ripërsërit ekzakt atë që bënte Enver Hoxha gjatë diktaturës, të cilët valët e radiove perëndimore u vinin zhurmues në të katër anët e vendit.
“Akti u mor vetëm falë rrebeshit të kritikave nga të rinia. Censura do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë së bashku me Ramën që është kryecensori i shqiptarëve”, ka shtuar ai.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar një protestë kombëtare më 15 mars për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për mbylljen e TikTok në Shqipëri për 12 muaj.
Protesta do të mbahet para Kryeministrisë dhe synon të kërkojë anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi, të cilin Berisha e cilëson si akt censure.
“Ftoj të gjithë gjimnazistët, të rinjtë dhe qytetarët të marrin pjesë në këtë protestë kombëtare. Ky është një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe komunikimit. Vdekja tragjike e Martin Canit nuk ka asnjë lidhje me TikTok-un, siç mundohet ta paraqesë Rama për të justifikuar censurën,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, qeveria po përdor këtë rast si pretekst për të kontrolluar rrjetet sociale dhe për të kufizuar hapësirat e lirë të shprehjes, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.
“Ftoj të gjithë gjimnazistët, të rinjtë qytetarët, të marrin pjesë në protestë kombëtare më 15 mars para Kryeministrisë. Kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTok. Ftoj prindërit dhe të rinjtë të mos bëhen viktimë e mashtrimit banal e të pacipë të Ramës. Vdekja e vrasja tragjike e Martin Canit në dyert e shkollës nuk kishte asnjë lidhje me TikTok-un. Martini dhe autori nuk kishin llogari në Tik Tok”, tha Berisha.