I dashur lexues,
Diana Gellci është një shqiptare që e kam takuar dikur në Miçigan të Amerikës. Ajo është profesoreshë e Antropologjisë, një lëndë shkencore që shpjegon se çfarë e ka bërë njeriun njeri, nga fillimet e historisë njerëzore e deri më sot.
Jam duke lexuar librin e Dianës, Qiell me Kuadrate, të cilin e bleva së fundmi në Amazon. Libri më solli shumë kënaqësi dhe mall. Madje, më ngjalli edhe një dëshirë të çuditshme për të shkruar, duke më zgjuar kështu një muzë që dukej sikur mezi priste në heshtjen e saj të stërgjatur.
Teksa mendoj për librin me poezi, mendoj se jeta e saj si emigrante dhe profesioni si antropologe kanë ndikuar tërë botëkuptimin dhe filozofinë e Dianës, çka duket fare qartë edhe në poezitë e saj. Të lexosh librat e Dianës në shqip, të afron pa dashur një mall të papërshkrueshëm, që vjen e të mbështjell si një shall i bukur kuq e zi, që të mbulon e të ledhaton me një dashuri amëtare – dashurinë për vendin ku ajo lindi, u rrit dhe u edukua, Shqipërinë tonë.
Kanë kaluar shumë vite që kur jam takuar së fundi me Dianën, të cilën me kënaqësi e quaj shoqe. Ndoshta janë bërë tridhjetë vjet që nga ajo kohë kur u takuam së bashku në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fillimisht e vizitova në shtëpinë e saj dhe, natyrisht, mikpritja, dashuria dhe optimizmi për jetën ishin gjërat e para që më bënë për vete. Ne ishim të dyja nëna të reja me fëmijë të vegjël; unë isha mamaja e një vajze dhe Diana e një djali dhe një vajze. Nuk e di pse, në ato çaste, thashë me vete: “Fëmijët tanë do të bëhen patjetër krenaria e Shqipërisë.” Mendova kështu sepse tek Diana ndjeva të njëjtin kujdes dhe përkushtim për fëmijët, si ato që përjetoja edhe unë. Pastaj e prita Dianën për vizitë në shtëpinë time.
Ne të dyja, si shumë shqiptarë të tjerë të asaj kohe, ishim larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë dhe, sigurisht, të dyja kishim, përveç halleve të përditshme, edhe ato hallet e përditshme të emigrantëve. Ata që e njohin jetën e emigrantit e dinë se çfarë është jeta e një gruaje në emigrim; jeta e një nëne emigrante me fëmijë të vegjël… Por, sidoqoftë, në ato takimet apo bisedat e rralla telefonike, ne u vidheshim halleve dhe ankesave të ditës dhe gjenim pak çaste të flisnim për letërsinë. E ato mbeten çaste të paharrueshme dhe të bukura, qofshin edhe vetëm për këtë.
Ndërsa unë u largova nga Miçigani për në Kaliforni, ku vajza ime do të realizonte ëndrrën e saj për Hollivudin, Diana dhe familja e saj qëndruan në Miçigan. Ajo përfundoi shkollën, filloi karrierën në fushën e edukimit dhe rriti e shkolloi fëmijët e saj.
Ndërsa lexoj sot librin e saj me poezi, mendoj me interes: cili do të jetë hapi tjetër i Dianës? Pres prej saj një libër tjetër. Natyrisht, nuk e di nëse vetë Diana ka një libër të ri në planet e saj të afërta, por unë, e ngazëllyer nga poezitë e saj, përveç kënaqësisë tashmë kam edhe kureshtjen për ta njohur Dianën më tepër dhe më mirë. Është ndoshta e kuptueshme që kur njihesh me autoren, ndërsa shijon vargjet, nuk ka se si të mos mendosh edhe për të dhe botën e saj. E vërteta është se mua ky libër me poezi më solli përpara syve edhe një Diane tjetër – Dianën që dua ta njoh më shumë; Dianën me të cilën do të dëshiroja të bisedoja më shumë. Në një lloj mënyre, më vjen keq për kohën që kemi humbur në largësinë midis Miçiganit dhe Kalifornisë.
Por, siç e thotë edhe vetë Diana në librin e saj, ka një vend për të gjithë në qiellin e saj. Dhe, ndërsa shfletoj librin, më duket sikur qielli i Dianës është edhe qielli im – kaq shumë gjëra i ndjej njëlloj dhe më duken krejt të përbashkëta. Pa dashur, më shpëtoi pyetja: a ka vërtet një qiell të Dianës?! Apo është qielli im? Apo yti? A ka vërtet një qiell tonin? Apo janë emocionet dhe mendimet tona që e bëjnë atë? Duke lexuar Qiellin me Kuadrate, nuk ka se si të mos përhumbesh në vetë filozofinë e jetës dhe jo vetëm të ndihesh mirë, por edhe të meditosh në mënyrën tënde.
Prandaj vendosa t’i shkruaj këto pak rreshta për Dianën dhe qiellin e saj me kuadrate. I shkrova shpejt e pa ndonjë rend të veçantë, si të trembesha se mos më iknin. Do t’u rekomandoja të gjithë bashkatdhetarëve kudo që janë, t’i lexojnë këto poezi. Jam e sigurt që do të arrijnë në të njëjtin përfundim: të gjithëve na duhet pak poezi në jetë. Madje, do të thoja pa ngurruar, se të gjithë e kemi pak poezi brenda shpirtit, përderisa të gjithëve na merr malli për nënën, të gjithë kujtojmë me nostalgji rrugicat e lagjes, të gjithëve na ka shijuar një ditë vere me hënë dhe të gjithë kemi pasur çaste të vyera dashurie në jetë. Poezitë e saj të shtyjnë të rikujtosh të gjitha këto, ashtu siç na kanë ndodhur në jetë. Dhe jo vetëm kaq. Poezitë e saj të ftojnë të meditosh, madje edhe të bëhesh pak poet e të fillosh të shkruash, edhe sikur të mos kesh shkruar kurrë më parë.
Më pëlqeu që e lexova Dianën. Më pëlqeu që lexova shqip dhe ndaj me të njëjtin mall për të njëjtin atdhe. Gjithashtu, më pëlqeu që pothuajse i njihja ato vende, ata njerëz dhe atë qiell të Dianës dhe thashë me mendje se tani e tutje duhet bërë diçka më shumë për t’u ndjerë më pranë e për ta ndjerë më mirë këtë këmbim vlerash dhe emocionesh.
Urime, shoqja ime e mirë!
Daniela Haglund
Shqiptare me banim në Kaliforni